Lidhje

Si u festua Viti i Ri në Amerikë - 2004-01-01


Masat e forta të sigurisë nuk i trembën amerikanët të dilnin mbrëmë nëpër rrugët e qyteteve kryesore dhe ta festonin vitin e ri në mënyrë të bujshme. Njerëzit në Nju Jork, Boston, Cikago, Las Vegas dhe qytete të tjerë të mëdhenj brohoritën mbrëmë ardhjen e Vitit 2004 duke shpresuar për një vit të mbarë dhe në paqe. Ja një kronikë me disa nga festimet tradicionale të Vitit të Ri në Shtetet e Bashkuara.

Ndërrimi i viteve në qytetin e Nju Jorkut kaloi pa probleme. Sipas zyrtarëve, rreth 1 milion njerëz ishin mbledhur në sheshin Tajms, kur atje u lëshua topi tradicional prej kristali që shënoi ardhjen e vitit 2004.

Festimet e gëzueshme u zhvilluan nën masa të jashtëzakonshme sigurie. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg dhe e ftuara e tij e nderit, ushtarakja Shoshana Jones, e cila u kap robe gjatë luftës në Irak, bënë zyrtarisht lëshimin e globit prej kristali, pikërisht në mesnatë, kur ora shënoi 12.

Çikagoja e priti vitin e ri me fishekzjarre të shumtë që ndiçuan me madhështi mbi Liqenin Michigan.

Në momentet e ndërrimit të viteve, 10 unaza të mëdha të ndriçuara u shuan një nga një për të shënuar 10 sekondat e fundit të 2003-shit.

Viti 2004 filloi me një shfaqje prej 14 minutash me fishekzjarre dhe me muzikë.

Dhjetra mijra njerëz ndoqën fishekzjarret nga toka dhe nga jahtet në liqen ndërsa të tjerë panë koncertet e grupeve B-52 dhe Poi Dog Pondering.

Në parkun e madh të argëtimit, Disney World të Floridës, viti i ri u festua plot drita dhe fishekzjarre.

Festimet nëpër rrugët e Disney-t u bënë në kushtet e masave të rrepta të sigurisë si në të gjithë vendin.

Koncertet përfshinin grupe të tilla muzikore si Blondie dhe Sugar Hill Gang.

Dhjetra mijra njerëz e festuan ardhjen e vitit të ri në rrugën kryesore të Las Vegasit duke parë fishekzjarrët madhështorë që zgjatën 10 minuta.

Fishekzjarrët u lëshuan njëkohësisht nga tarracat e disa ndërtesave, ndërkohë helikopterët ushtarakë patrullonin qiellin pikërisht mbi Bulevardin Las Vegas, ku ndodhen 18 nga 20 hotelet më të mëdhenj të Amerikës.

Në Las Vegas ishin mobilizuar me këtë rast edhe 2,600 policë, më shumë se 100 agjentë të FBI-së dhe 4 mijë roje sigurimi për hotelet.

Autoritetet kishin marrë masa të jashtëzakonshme, duke vënë kufizime për fluturimet mbi bulevardin e famshëm dhe duke kontrolluar me imtësi listat e pasagjerëve të avionëve dhe ato të klientëve që kishin prenotuar hotele.//ii

XS
SM
MD
LG