Lidhje

SHBA: Zgjedhjet presidenciale 2004 - 2004-01-12


Gara brenda Partisë Demokrate për kandidatin e saj për president po forcohet, ndërkohë që mbetet një javë para fillimit zyrtar të procesit zgjedhor në shetin Iowa. Një sondazh i ri tregon se votimet paraprake për kandidatët demokratë në këtë shtet, do të përfundojnë ndoshta me rezultat të ngushtë.

Sondazhi i ri tregon se ish-guvernatori i shtetit Vermont, Howard Dean, ka një epërsi të lehtë në Iowa ndaj ligjvënësit nga shteti Mizuri, Richard Gephardt. Sondazhi tregon gjithashtu se senatori nga Massachussetts, John Kerry, dhe senatori nga Karolina e Veriut, John Edwards, po konkurojnë për vendin e tretë. Sondazhi u krye nga agjencia e lajmeve Reuters, rrjeti televiziv MSNBC dhe organizata e anketimeve Zogby.

Dy kandidatët që do të marrin më shumë vota, do të sigurojnë avantazh në aspektin politike dhe atë të marrëdhënieve publike tani që po fillon faza e zgjedhjeve paraprake. Në këtë proces përzgjidhen kandidatët për në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate që do të zhvillohet në muajin korrik. Delegatët e kuvendit do të zgjedhin një kandidat të vetëm i cili në zgjedhjet e nëntorit, do të dalë përballë Presidentit Bush.

Që të tre, senatorët Kerry dhe Edwards dhe ligjvënësi Gephardt, thonë se mbështetja e tyre në anketat e opinionit po shënon rritje në dëm të kandidatit që ze vendin e parë në këto sondazhe, Howard Dean.

Zoti Dean po vihet në qendër të kritikave në rritje nga ana e rivalëve të tij demokratë. Shembulli i fundit është gjatë një debati në Iowa të dielën, i cili u përqendrua në çështje të ndjeshme për votues nga pakicat.

Kandidati tjetër demokrat Al Sharpton e kritikoi zotin Dean se nuk ka emëruar më shumë zyrtarë nga pakicat në pozita të rëndësishme, kur ai ishte guvernator i Vermontit.

Zoti Sharpton e pyeti ish-guvernatorin e Vermontit nëse ka patur zyrtarë me ngjyrë në administratën e tij, kurse zoti Dean përgjigjet se në administratën e shtetit Vermont ka patur të tillë por jo në kabinetin e tij.

Ky shkëmbim replikash ndërmjet kandidatëve al-Sharpton dhe Dean, mori këtë përgjigje nga ish-senatorja dhe ish-ambasadorja Carol Moseley-Braun - afrikano-amerikania tjetër në garën presidenciale. ”I drejtohem zotit Sharpton. Ç’është e vërteta, gjithmonë mund të gjesh shkak për të ndezur një debat mbi racën dhe për të bërë që njerëzit ta urrejnë njëri-tjetrin. Por mendoj se është koha për të diskutuar se si duhet vepruar për t’i bashkuar njerëzit, sepse ky vend nuk mund të durojë një debat racial me tone të larta”, tha zonja Mosley-Brown.

Procesi i zgjedhjeve do të intensifikohet edhe më tej këtë javë në prag të votimit të së hënës në Iowa, i cili do të pasohet pas një jave me votimet e 27 janarit në shtetin New Hampshire.

//rd//

XS
SM
MD
LG