Lidhje

Senatori Kerry dhe rruga drejt Shtëpisë së Bardhë - 2004-01-20


Senatori amerikan John Kerry i shtetit Massachusetts është njëri nga kandidatët demokratë që shpresojnë të mos e lejojnë Presidentin Bush që të marrë një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë në nëntor. Zoti Kerry, veteran i luftës në Vietnam, është zgjedhur senator për katër mandate radhazi.

Senatori Kerry hyri herët dhe me shumë shanse në garën për të fituar emërimin e Partisë Demokrate për president. Ai është veteran me dekorata i Luftës së Vietnamit dhe ka shumë vite përvojë në politikën e jashtme dhe të brendshme.

Zoti Kerry që votoi në favor të rezolutës së Kongresit për të autorizuar Presidentin Bush që të fillonte luftën në Irak, e mbrojti vendimin për të mbështetur përdorimin e forcës ushtarake, duke kritikuar njëkohësisht mënyrën se si po e trajton Presidenti Bush situatën e atjeshme.

“Vota ime ishte 100 për qind e drejtë. Nuk pendohem aspak për të. T’u drejtohesh Kombeve të Bashkuara, t’i japësh në dorë presidentit fuqinë që të përdorë forcën është ajo që duhet bërë, që procesi të ecë. Mua më vjen keq për faktin që Presidenti bëri një punë aq të keqe nga ana diplomatike dhe të gjithë e keni dëgjuar që unë e kam thënë një gjë të tillë, gjatë gjithë kohës para se të fillonte lufta dhe po ashtu edhe në ditën kur presidenti vendosi të fillonte luftën, kur thashë se do të kisha parapëlqyer që ai t’i kishte dhënë më shumë kohë diplomacisë që të ndërtonte koalicionin e nevojshëm”, shprehet senatori.

Me kapjen e Saddam Husseinit, zoti Kerry paraqet një plan për stabilizimin e vendit, ku bën pjesë bashkëpunimi me vendet evropiane që kundërshtuan luftën, në përpjekje për të zgjeruar koalicionin ndërkombëtar që mbështet operacionet në Irak.

“Presidenti ka një rast të volitshëm tani që të tërheqë më shumë njerëz për t’i çuar në terren, duke e pakësuar rrezikun ndaj ushtarëve amerikanë, dhe që të flasim hapur duke ulur koston në dollarë që do t’u kushtonte taksapaguesve amerikanë”, thotë ai.

Zoti Kerry ka marrë disa dekorata për pjesëmarrjen në luftën e Vietnamit. Ai ngriti zërin kundër luftës kur u kthye në Shtetet e Bashkuara.

Për 19 vjet senatori Kerry ka qenë anëtar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me jashtë dhe për gjashtë vjet ka qenë në Komisionin për Zbulimin.

Përsa u takon çështjeve të brendshme, zoti Kerry thotë se nëse zgjidhet president do të punojë për t’i bërë Shtetet e Bashkuara të pavarura nga nafta e Lindjes së Mesme brenda dekadës së ardhshme.

Senatori 60 vjeçar u premton gjithashtu amerikanëve të njëjtin kujdes shëndetësor që gëzojnë edhe anëtarët e Kongresit.

Kritikët e zotit Kerry thonë se ai shpesh duket shumë i përmbajtur, i kujdesshëm, madje edhe si i programuar. Senatori i ka hedhur poshtë kritikat dhe në një përpjekje për të treguar që kritikët e tij e kanë gabim, u fut në skenën e një emisioni televiziv natën vonë me motoçikletën e tij.

XS
SM
MD
LG