Lidhje

Kryeministri i Kosovës vlerëson pozitivisht raportin e shefit të UNMIK-ut - 2004-02-07


Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi tha të shtunën pasdite pas kthimit në aeroportin e Prishtinës, se raporti i paraqitur në Këshillin e Sigurimit nga kryeadministratori Harri Hollkeri, është një nga më pozitivët deri tani.

Zoti Rexhepi theksoi nevojën për angazhimin e administratës ndërkombëtare në plotësimin e standarteve për Kosovën, veçanërisht në fushat e të drejtave të rezervuara.

Kryeministri ka theksuar se në Shtetet e Bashkuara ekziston vullneti i mirë për fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës nëse këtu në Kosovë ka angazhim maksimal për këtë.

Zoti Rexhepi tha se ka kërkuar në Washington që Shtetet e Bashkuara të bëjnë presion shtesë që serbët e Kosovës të jenë pjesë e procesit dhe të zhbëhen institucionet paralele.

Ai ka kërkuar gjithashtu që procesi i privatizimit në Kosovë të fillojë sa më shpejt. Ndërkohë partitë politike në Kosovë e kanë vlerësuar përgjithësisht si të balancuar dhe të mirë raportin e kryeadministratorit Harri Hollkeri në Këshillin e Sigurimit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se raporti është përqëndruar tek gjendja në Kosovë dhe sfidat që e presin atë në procesin e zhvillimit. Po kështu, sipas kësaj partie të kryesuar nga presidenti Ibrahim Rugova, ky ishte një raport pozitiv dhe një nga më të balancuarit.

Partia Demokratike e Kosovës po kështu ka vlerësuar këtë raport si të balancuar dhe që është përqëndruar në zhvillimet në Kosovë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kryesuar nga Ramush Haradinaj, ka thënë se në raport, zoti Hollkeri ka ikur nga thelbi i problemeve në Kosovë dhe ka shtuar se më e mira do të kishte qenë që përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës të kishin qenë në takimin e Këshillit të Sigurimit.

Para se zoti Hollkeri të nisej për në Nju Jork, përfaqësuesit e tre partive më të mëdha politike shqiptare patën kërkuar që përfaqësuesit e institucioneve vendore të vetë-qeverisjes, të merrnin pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit ku u diskutua për gjendjen në Kosovë.//kk//

XS
SM
MD
LG