Lidhje

Pamje e re e mjeteve të informimit në Pakistan - 2004-02-08


Kanalet e pavarura televizive po u krijojnë pakistanezëve një mënyrë të re për të gjykuar veten dhe botën. Që nga viti 2002, mbi njëzet mjete private informimi kanë marrë lejen për të transmetuar në Pakistan. Më i suksesshmi është rrjeti televiziv Geo.

Me bazë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, rrjeti televiziv Geo tërheq një numër të madh shikuesish në Pakistan. Adnan Ahmeti është drejtor i degës pakistaneze të organizatës jofitimprurëse Internews, e cila përkrah mjetet e pavarura të informimit në të gjithë botën. “Brenda një kohe të shkurtër, thotë zoti Ahmeti, ky do të jetë një Pakistan i ndryshuar dhe historia do të thotë se rrjeti televiziv Geo i bëri të gjitha këto ndryshime.”

Rrjeti televiziv Geo ofron programe argëtuese, lajmesh dhe politike që nuk gjenden në televizionin shtetëror pakistanez, PTV. Rrjeti Geo mbulon veprimtarinë e partive të opozitës që nuk përfshihet në programet e televizionit shtetëror. Në programet argëtuese të televizionit Geo përfshihen aktorë dhe filma indianë që janë të ndaluar nga censuruesit e qeverisë pakistaneze. Satirat rreth zyrtarëve të qeverisë dhe diskutimet lidhur me çështje kontradiktore, si besimi dhe praktika fetare, janë shumë të preferuara. Një nga programet më popullore të rrjetit televiziv Geo është diskutimi midis klerikëve shiitë dhe syni me telefonata nga teleshikuesit. Në vitin 2003, rrjeti Geo organizoi një anketë të opinionit publik, rezultatet e së cilës tregojnë se rreth 50 përqind e pakistanezëve të pyetur janë për rishqyrtimin e politikës zyrtare për mosnjohjen e Izraelit nga Pakistani.

Kreu i Autoritetit Regullator Pakistanez, Main Muhamed Xhavid, thotë se transmetimi i pavarur është i dobishëm për vendin. “Mjetet e informimit krijojnë vetëdijën dhe garantojnë transparencë e përgjegjshmëri”, thotë ai. Drejtori i redaksisë së lajmeve të rrjetit Geo, Azhar Abaz, thotë se programet e stacionit të tij televiziv po i bëjnë zyrtarët pakistanezë më të ndjeshëm e më të hapur. “Në të kaluarën, thotë ai, asnjë qeveri nuk ka punuar në kushtet e mjeteve kaq të shpejta të informimit. Tani, ata janë të detyruar të japin përgjigje.”

Duke lejuar transmetimin nga mjetet private të informimit, Pakistani do të vjelë përfitimet që, sipas Presidentit Bush, rrjedhin nga liria. “Begatia, vitaliteti shoqëror dhe përparimi teknologjik i një populli përcaktohen drejtpërdrejt nga përmasat e lirisë së tij. Liria nderon dhe i jep krahë krijimtarisë njerëzore dhe krijimtaria përcakton fuqinë dhe pasurinë e kombeve.”

“Kanalet televizive si Geo, thotë shtëpiakja 28 vjeçare, Uaxhiha Shahid, kujdesen për brezin e ri.” //az//

XS
SM
MD
LG