Lidhje

Presidenti Bush thotë se vendimi për të ndërhyrë në Irak ishte i drejtë - 2004-02-08


Presidenti Bush e mbrojti përsëri vendimin e tij për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak. Gjatë intervistës një orëshe për rrjetin televiziv NBC, Presidenti Bush tha se kishte prova të mjaftueshme sa për të justifikuar hyrjen në luftë

Presidenti Bush tha se vendimi i tij për ndërmarrjen e veprimeve ushtarake për të përmbysur udhëheqësin irakian, Sadam Husein, ishte i drejtë.

Vitin e kaluar, presidenti paraqiti argumentet në mbështetje të luftës kryesisht duke u mbështetur në vlerësimet se Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë. Por, deri tani nuk janë gjetur stoqe armësh të tilla dhe gjatë një interviste me rrjetin televiziv NBC, Presidenti Bush e vuri theksin tek aftësia e Irakut për të prodhuar armë të rrezikshme.

“Ai kishte aftësitë për të zotëruar armë të tilla, për të prodhuar armë të ndaluara. Ne menduam se Sadam Huseini kishte armë të tilla. Edhe komuniteti ndërkombëtar mendonte se ai kishte armë të shkatërrimit në masë. Sadam Huseini kishte aftësinë të prodhonte armë të ndaluara dhe pastaj të lejonte që ato të binin e në duart e rrjeteve të dyshimta terroriste”, theksoi presidenti Bush.

Presidenti theksoi mundësinë që Iraku të kishte armë të shkatërrimit në masë para luftës dhe përmendi disa teori për atë që mund të kishte ndodhur me stoqet e tyre.

“Ato mund të jenë shkatërruar gjatë luftës. Sadam Huseini dhe bashkëpunëtorët e tij mund t’i kenë shkatërruar ato ndërkohë që forcat tona po hynin në Irak. Ato mund të jenë fshehur ose mund të jenë transportuar në një vend tjetër dhe ne do t’i gjejmë ato”, tha presidenti.

Presidenti Bush pranoi se një pjesë e informacionit të zbulimit të paraluftës ishte me të meta, megjithëse ai theksoi se vazhdon të ketë besim të plotë në aftësitë e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, George Tenet. Ai tha se një komision i ri i pavarur do të analizojë se ku qendron gabimi dhe mbrojti afatin e marsit të vitit 2005 që i është caktuar komisionit për të paraqitur raportin e tij, disa muaj pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

“Arsyeja që caktuam afat kohor është se ne nuk dëshirojmë që anëtarët e komisionit të nxitohen në procesin hetimor. Ky është një studim strategjik, një vështrim i tablosë së madhe lidhur me aftësitë amerikane të grumbullimit të informacioneve të zbulimit”, theksoi ai.

Kjo ishte hera e parë që kur u bë president që zoti Bush intervistohet në një nga programet televizive amerikane në formë diskutimesh që transmetohen të dielave në mëngjes. Intervista u bë në një kohë kur këto programe, të cilat transmetohen nga 5 rrjete televizive, janë të përqendruara tek gara për shtëpinë e Bardhë.

Në një emision të rrjetit televizi Fox që u transmetua në të njëjtën kohë me intervistën e Presidentit Bush, Senatori John Eduards i Karolinës së Veriut u pyet rreth komisionit të ri hetimor. Senatori Eduards, një nga kandidatët demokratë për president, tha se ishte ide e mirë, por theksoi se komisioni duhet të përfundojë punën para zgjedhjeve të nëntorit.

“Do të dëshiroja shumë që procesi hetimor të përfundonte para zgjedhjeve. Nëse është e mundur, kjo duhet të bëhet para nëntorit”, tha Senatori Eduards.

Anketat e fundit të opinionit publik parashikojnë një garë të fortë zgjedhore, nëse presidenti do të përballet me Senatorin John Kerri të shtetit Mesaçusets, i cili kryeson ndaj rivalëve të tij demokratë për emërimin si kandidat i Partisë Demokrate për president. Gjatë intervistës, Presidenti Bush minimizoi rëndësinë e anketave të opinionit publik, duke thënë thjesht: “Unë nuk do të humbas, nuk kam në plan të humbas”. //kk//

XS
SM
MD
LG