Lidhje

Maqedonia paraqet kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian - 2004-02-25


Një delegacion i lartë i qeverisë maqedonase u nis të mërkurën për në Irlandë për të paraqitur kërkesën e Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Irlanda është kryetare e radhës e Bashkimit Evropian. Kryeministri maqedonas Branko Cërvenkovski tha se Maqedonia i ka mundësitë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Ai tha se kërkesa për aplikim në Bashkimin Evropian paraqet fillimin e një procesi të gjatë dhe të vëshirë. Ai tha se vendin e presin detyra dhe përgjegjësi të mëdha për të përmbushur standartet e Bashkimit Evropian. “Marrëveshja e Ohrit është në fazën përfundimtare të realizimit dhe se në këtë moment nevojitet projekti i përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian”.

Kryeministri maqedonas tha se, nëse aplikimi përfshihet në procedurat e Këshillit Ministror Evropian, atëherë qeveria do të realizojë strategji të posaçme për realizimin e kritereve politike dhe ekonomike në një afat të caktuar. Kryeministri Branko Cërvenkovski tha se e ardhmja e Maqedonisë është drejt Bashkimit Evropian dhe se të gjithë qytetarët e subjektet politike e përkrahin këtë proces.

I pyetur se nëse merr sinjale pozitive nga BE, atëherë cili do të ishte qendrimi i Maqedonisë ndaj Amerikës me të cilën është arritur marrëveshja për mosdorëzimin e qytetarëve amerikanë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, kryeministri Cërvenkovski tha se kjo marrëveshje mund të shfuqizohet.

Në kuadër të delegacionit të Maqedonisë për në Republikën e Irlandës udhëtuan edhe zëvendëskryeministrat Musa Xhaferi, Radmila Sheqerinska, Ministrja e Punëve të Jashtme, Ilinka Mitreva, dhe përfaqësues të partive politike të pozitës dhe opozitës. Kërkesa për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është përkrahur nga parlamenti i Maqedonisë dhe nga Presidenti Boris Trajkovski.

Ndërkohë, parlamenti maqedon miratoi të mërkurën më shumicë votash Propozimin për ndarjen adminsitrative të qytetit të Shkupit. Sipas këtij propozimi Shkupi do të ndahet në nëntë komuna. Subjektet politike shqiptare kërkonin që tri komuna rurale me shumicë shqiptare t’i bashkangjiten Shkupit, gjë e cila do të bënte të mundur përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare. Faza përfundimtare e miratimit të paketës së ligjeve të decentralizimit duhet të miratohet në parlament pas një debati publik që do të zhvillohet muajin e ardhshëm. //az//

XS
SM
MD
LG