Lidhje

Debat mbi martesat e homoseksualëve - 2004-02-26


Në Shtetet e Bashkuara çështja e martesave brenda të njëjtit seks është bërë përsëri objekt debatesh të ashpra. Presidenti Bush i kërkoi kongresit të miratojë një amendamet kushtetues që ndalon martesat e të njëjtit seks. Por amendamenti kushtetues mund të jetë një proces i vështirë.

Në një fjalim të martën, presidenti Bush i bëri thirrje Kongresit të miratojë amendamentin duke thënë se martesa është një institucion midis burrit dhe gruas. "Në se duam të ruajmë kuptimin e martesës, duhet të miratojmë një amendament kushtetues për të mbrojtur martesën në Amerikë".

Por presidenti tha se shtetet duhet të jenë të lira të marrin vendime në përcaktimin e marrëveshjeve të tjera ligjore përveç martesës - si bashkimet civile që u japin mbrojtje ligjore çifteve homoseksual.

Përkrahësit konservatorë të presidentit i kishin kërkuar atij të bënte thirrje për një amendament të tillë. Gary Bauer i shoqatës Vlerat Amerikane, thotë:

"Nuk është fanatizëm të besosh se martesa është për gruan dhe burrin dhe se fëmijët kanë nevojë si për nënë edhe për baba".

Por Cheryl Jacque e fushatës për të drejtat njerëzore thotë se amendamenti do të ishte diskriminues për miliona amerikanë:

"Qëllimi i vetëm i këtij amendamenti është të mohojë të drejtat ligjore bazë dhe mbrojtëse për homoseksualët amerikanë. Ky është diskriminim dhe sigurisht nuk ka vend në kushtetutën tonë".

Që amendamenti të miratohet, ai duhet të miratohet me më shumë se dy të tretat në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat si dhe të ratifikohet nga 38 shtete.

Një anketë e fundit e organizatës Gallup tregon se një shumicë por jo dërrmuese e amerikanëve, rreth 51 përqind, mbështesin amendamentin. Por organizata thotë se niveli i mbështetjes është i ulët po të kemi parasysh se çfarë kërkohet për të miratuar amendamentin.

//rd//

XS
SM
MD
LG