Lidhje

Raporti mbi të drejtat e njeriut bëhet pjesë e procesit vendim-marrës të politikës së jashtme amerikane - 2004-02-26


Shqipëria ka shpallur si synim kryesor të politikës së saj të jashtme anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Por çfarë ndikimi kanë të drejtat e njeriut për këtë synim të Shqipërisë? Kolegu Arben Xhixho bisedoi me ekspertin e Komisionit të Kongresit Amerikan për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë Robert Hand.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, duket se problemet për të cilat kritikohet Shqipëria në raportin e sivjetëm të Departamentit të Shtetit, janë të njëjtat me ato që kemi parë në raportet e mëparshme. Cilat janë problemet kryesore të të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe a vini re ju ndonjë përparim në raportin e sivjetshëm?

Robert Hand: Shkeljet kryesore që përmenden në raportin e Departamentit të Shtetit, janë ato që ka kryer policia: njerëz të arrestuar që rrihen dhe torturohen, etj. Mendoj se ky mbetet një problem i madh. Disa çështje të tjera janë ato që kanë të bëjnë me drejtësinë, mjetet e informimit, disa ndikime politike në të dyja këto fusha. Edhe trajtimi i romëve shtrohet në raport dhe ne mendojmë se ky është një problem. Dhe në fund ajo që Komisioni i Helsinkit e sheh me një shqetësim të veçantë, është trafiku i njerëzve dhe në raport flitet me hollësi për trafikun e grave dhe të fëmijëve, si edhe pozicionin e Shqipërisë si vend burimi dhe si vend tranzit për këtë trafik. Kësaj dukurie i duhet kushtuar shumë më tepër vëmendje. Përsa u takon përmirësimeve, aty përmendeshin disa të tilla në lidhje me zgjedhjet vendore të mbajtura vitin e kaluar. Po ashtu edhe në disa nga dukuritë që përmenda, si trafiku për shembull, ka shenja që tregojnë se qeveria po përpiqet të bëjë më shumë për të zgjidhur këto probleme. Duket se ka një farë vullneti politik, një farë ndërgjegjësimi se ka gjëra që duhen bërë në këto drejtime, por megjithatë gjendja e të drejtave të njeriut, duket se vazhdon të mbetet problematike në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Shqipëria ka shpallur si synim të saj kryesor në politikën e jashtme, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por me një gjendje të tillë të drejtash të njeriut sa larg është ky vend nga anëtarësimi në këto dy institucione?

Robert Hand: Mendoj se Shqipëria ka ende shumë për të bërë. Megjithatë duhet të them në fillim, duke shprehur mendimin tim dhe të shumë njerëzve në Washington se duam të nxisim vendin që ai të mund të bëhet anëtar i NATO-s dhe të integrohet në të gjitha institucionet evropiane. Kështuqë ne duam të shprehim gjithë mbështetjen tonë. Megjithatë është e qartë nga raporti se ka disa probleme të të drejtave të njeriut, që duhen zgjidhur dhe ne mendojmë se edhe për t’u futur në NATO, që është një aleancë ushtarake, një nga faktorët është ai demokratik dhe kjo do të thotë respektim i të drejtave të njeriut, kështu që duhen marrë masa. Ndoshta përveç shprehjes së vullnetit për integrim, udhëheqësit shqiptarë duhet ta bëjnë të qartë se duhen bërë përmirësime, t’u japin këtyre përmirësimeve më shumë përparësi. Ndoshta nëse mund të ketë përmirësime të shpejta për disa prej shkeljeve më të rënda dhe kjo nuk do të ngadalësonte aspak aftësinë e Shqipërisë për t’u integruar në institucionet perëndimore.

Zëri i Amerikës: Cila është rëndësia e këtyre raporteve, si duhen kuptuar këto raporte në Shqipëri, për shembull?

Robert Hand: Besoj se duhen kuptuar si raporte që marrin në shqyrtim gjithë vendet e botës, që nuk janë të përqendruara në asnjë vend në mënyrë të veçantë. Çka do të thotë që raporti nuk merret me Shqipërinë më shumë, në krahasim me një vend tjetër. Është një përpjekje gjithëpërfshirëse, për të qenë sa më të hapur të jetë e mundur, edhe kur bëhet fjalë për aleatët dhe miqtë tanë më të ngushtë. Kongresi eshte shumë i interesuar për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë dhe prandaj kërkon hartimin e raporteve të tilla duke i bërë të drejtat e njeriut pjesë të politikës sonë të jashtme. Nuk ka asnjë motiv tjetër pas raporteve. Ato pasqyrojnë një përpjekje të qeverisë amerikane për të vlerësuar gjendjen. Në përgjithësi raportet vlerësohen këtu si një përpjekje e sinqertë për pasqyrimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në mbarë botën. Ato çojnë në hapjen e dialogut këtu në Uashington, njerëzit mund të jenë ose jo dakort me ato që thuhen në raport, por në fund të fundit këto raporte bëhen pjesë e procesit vendim-marrës të politikës së jashtme këtu në Uashington. Pra rëndësia e këtyre raporteve qëndron në faktin se ato jo vetëm që pasqyrojnë gjendjen reale të të drejtave të njeriut por janë edhe pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme për të nxitur respektimin e të drejtave të njeriut.

//rd//

XS
SM
MD
LG