Lidhje

USAID:qytetarët e Kosovës t’i zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre - 2004-02-27


Zyra e USAID-it në Kosovë mbështet ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe votimin me lista të hapura për njerëz konkretë, të cilëve, zgjedhësit më pas, mund t'u kërkojnë llogari për punën e tyre. Në një intervistë për ”Zërin e Amerikës”, shefi i kësaj zyre në Prishtinë, Dale Pfeiffer, thotë se qytetarët e Kosovë duan një të ardhme më të mirë dhe duhet të lejohen të shprehen për të.

USAID, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, mbështet ndryshimin e sistemit zgjedhor të Kosovë dhe mbajtjen e zgjedhjeve me lista të hapura. Shefi i zyrës së USAID-it në Prishtinë, Dale Pfeiffer, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se qytetarët e Kosovës duhet të kenë të drejtë t’i zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre.

”Ne kemi mbështetur fuqishëm ndryshimin e sistemit zgjedhor, në një mënyrë të tillë që jo vetëm të ketë lista të hapura, por edhe zona zgjedhore. Në fakt duhet të kesh zona zgjedhore për të patur lista të hapura. Ka mundësi të krijohen zona në shumë mënyra, edhe pa regjistrim të popullsisë. Atëherë njerëzit do të kenë një listë të zgjedhur të njerëzve që ata njohin në zonën e tyre, për të cilët mund të votojnë. Ata e dinë se pasi këta njerëz të fitojnë, do të jenë përgjegjës para tyre, për t’u rizgjedhur. Ata do të thërrasin anëtarin e tyre në asamble, për shembull nga Deçani, dhe do t’i thonë se rruga tek ne nuk është e mirë, çfarë do të bëni për ta përmirësuar. Atëherë, deputeti do të shkojë në ministri dhe do tu thotë, pse nuk po e ndihmoni zonën time. Ose do të miratoni një ligj në mënyrë që të ketë më shumë para për ndërtimin e rrugëve. Kështu funksionon demokracia, njerëzit duhet të kenë mundësi të zgjedhin se kush do t’i përfaqësojë. Ata nuk duan që kryetarët e partive të zgjedhin gjithmonë. Është me fat që partitë në Kosovë, deri tani kanë zgjedhur në përgjithësi njerëz të mirë për në parlament dhe në komuna. Por, mund t’i besosh popullit të Kosovës që mund të bëjë zgjedhje të mirë. Gjithkush këtu ka tru, gjithkush mund të shohë nëse ky njeri është i mirë, apo i keq, për t’i përfaqësuar. Mendoj se kemi nevojë ta hapim atë sistem, -” thotë zoti Pfeiffer.

Zoti Pfeiffer nuk mendon se procesi ka qenë gjithmonë aq i hapur sa duhet të ishte:

“Është koha të guxojmë pak më shumë, duhet t’u besojmë popullit të Kosovës, por ata duhet të bëjnë zgjedhjen. Nuk mendoj se duhet të jemi kaq të kujdesshëm, është një demokraci vibrante tashmë, njerëzit e dinë çfarë po ndodh, e dinë çfarë po bën dikush çfarë nuk po bën, njerëzit duan një të ardhme më të mirë, lerini të shprehen për të,”-thotë zoti Pfeiffer.

Ndërkohë, përfaqësues të rrjeteve të shoqatave jo-qeveritare në Kosovë, protestuan sot para selisë së UNMIK-ut në Prishtinë, duke kërkuar ndryshimin e sistemit zgjedhor. Lulzim Peci, Drejtor i Institutit për Zhvillime dhe Hulumtime të Politikave, thotë se grupi i punës për të cilin ka punuar nën mbikqyrjen e OSBE-së, nuk ka ofruar një model zgjedhor. Zoti Peci thotë gjithashtu se sistemi zgjedhor që është përdorur në Kosovë ka shumë mangësi, votohet për partitë dhe po humbet lidhja midis votuesve dhe të votuarve.

I tërë sistemi politik i Kosovës është shndërruar në një formë të përgjegjësisë kolektive dhe ka humbur linja direkte e përgjegjësisë midis zgjedhësve dhe deputetëve në parlament. Ne mendojmë se demokracia nuk mund të zhvillohet pa përgjegjësi konkrete në Kosovë.

Grupi i punës për zgjedhjet, i cili ka punuar nën mbikqyrjen e OSBE-së, i ka dërguar një grup rekomandimesh kryeadministratorit Harri Holkeri, në të cilin nuk rekomandohet ndryshimi i sistemit të mëparshëm zgjedhor.// lk //

XS
SM
MD
LG