Lidhje

Takim i Ambasadës Shqiptare në Uashington me Konsujt e Nderit - 2004-03-02


Konsujt e nderit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara patën javën e kaluar një takim në Uashington, ku u zotuan se do të shtojnë përpjekjet për një imazh më të mirë të Shqipërisë në botë.

Shqipëria ka në Shtetet e Bashkuara 8 konsuj nderi, të shpërndarë në shtete të ndryshme.

Në mbledhjen e parë vjetore në Uashington, katër prej konsujve të nderit që morën pjesë shkëmbyen mendime për punën që mund të bëjnë për të ndihmuar Shqipërinë në disa drejtime.

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Fatos Tarifa beson se konsujt mund të luajnë një rol të madh për një imazh më të mirë të shqiptarëve. Ai thotë se konsujt do të shërbejnë për të afruar personalitet amerikane dhe sidomos për të t’i bërë bizneset vendëse të interesuar tek Shqipëria.

“Janë njerëz seriozë, njerëz kryesisht të biznesit, të njohur në qarqet politike dhe të biznesit të shtetit ku jetojnë, njerëz me lidhje që efektivisht mund të ndihmojnë dhe ndihmojnë për zgjerimin e sferës publike në të cilën kjo ambasadë vepron për zgjerimin e kontakteve të saj me administratën amerikane dhe me administratën e shteteve të veçanta”, thotë ambasadori Tarifa.

David Funderburk, ish anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, thotë se konsujt mund t’u bëjnë publicitet gjërave të veçanta që ka Shqipëria, si kulturës, historisë, gjuhës së saj, ndihmesës së shqiptarëve për Shtetet e Bashkuara.

“Ne do të planifikojmë takime këtu në Shtetet e Bashkuara, do të përpiqemi t’i inkurajojmë amerikanët të shkojnë në Shqipëri për të investuar, dhe deri tani kemi pasur disa kërkesa të tilla. Por tani detyra jonë do të jetë më e lehtë sepse ne do të shtojmë bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Jemi të gëzuar për përspektivën e asaj që mund të bëjmë,” thotë zoti Fundurburk.

Konsulli i Shqipërisë në Michigan, Ekrem Bardha i ftoi të gjithë, sidmos bashkatdhetarët të kthehen dhe të investojnë në Shqipëri.

“Jo vetëm shqiptarët, por edhe amerikanët, të kthehen në Shqipëri, të investojnë në Shqipëri. Ky është një angazhim që morëm sot. Të bëjmë siç kemi bërë për çështjen shqiptare madje edhe më tepër,” thotë zoti Bardha.

Dr. Pedro Rubio, nga Teksasi e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në vitin 1992 ku ai pa nevojat e mëdha që kishin spitalet. Pas kthimit në Amerikë ai dhe të tjerë filluan një program për dërgimin e pajisjeve mjekësore në Shqipëri.

“Jam emëruar konsull që në vitin 1992 dhe që nga ajo kohë jemi përpjekur të bëjmë shumë gjëra, së pari natyrisht për të rritur njohjen e njerëzve për Shqipërinë dhe statusin e saj demokratik. Si konsuj nderi, ne kemi rastin të shfrytëzojmë aftësitë tona për të ndihmuar Shqipërinë në shumë drejtime,” thotë zoti Rubio.

Katër konsujt e nderit që morën pjesë në takimin e organizuar nga ambasada shqiptare premtuan se në të ardhmen do të takohen më shpesh për të shkëmbyer ide se si mund të përdoret në mënyrë të efektëshme ndikimi që ata kanë në shtetet ku jetojnë për të përhapur vlerat e Shqipërisë dhe për të ndihmuar që amerikanët të investojnë në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG