Lidhje

Ligjvënësi Eliot Engel komenton për zhvillimet në rajon - 2004-03-05


Ligjvënësi Eliot Engel, i cili ishte pjesë e delegacionit amerikan në Maqedoni për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të presidentit të këtij vendi, i tha Zërit të Amerikës se vdekja e presidentit Trajkovski është një tragjedi jo vetëm për Maqedoninë, por për tërë Ballkanin. Zoti Engel komentoi edhe për zhvillimet në Kosovë e Shqipëri

Ligjvënësi Elliot Engel tha se presidenti maqedonas ishte mik i SHBA, i popujve tjerë në Ballkan. Ai, tha ligjvënësi amerikan, kishte një vizion afatgjatë: që njerëzit të jetojnë në paqe pranë njëri tjetrit. Zoti Engel tha se kishte raste kur SHBA nuk pajtoheshin gjithmonë me të, por e dinin se ai e kuptonte rëndësinë e një marrëveshjeje që do të lehtësonte bashkëjetesën midis maqedonasve dhe shqiptarëve.

“Kur një njeri i madh vdes tragjikisht atëherë të tjerët duhet të dyfishojnë përpjekjet për të vazhduar rrugën të cilën e ka filluar ai”. tha zoti Engel.

Ligjvënësi amerikan tha se shpresonte që presidenti i ri maqedonas i cili do të zgjidhet do të vazhdojë rrugën e njejtë të zotit Trajkovski. “Ajo është rruga e pajtimit midis maqedonasve dhe shqiptarëve”, tha ai.

Zoti Engel tha se nuk mendonte se mund të ndodhë një krizë politike në Maqedoni dhe se populli i këtitj vendi e ka të qartë se gjendja këtu është shumë me e mirë për dallim nga viti 2001, si rezultat i punës së zotit Trajkovski dhe të tjerëve të cilët besojnë në pajtimin midis maqedonasve dhe shqiptarëve.

Ai tha se njerëzit me vullnet të mirë dëshirojnë përparimim e Maqedonisë. Ndërkohë që, shtoi se pozita e shqiptarëve në Maqedoni, pas Marrëveshjes së Ohrit, është përmirësuar shumë.

Ligjvënësi Engel tha se shqiptarët tash gëzojnë të drejta të caktuara të cilat i meritojnë dhe që nuk i kishin më parë. Ai tha se qëllim i tij ka qenë gjithherë që të sigurojë se shqiptarët janë qytetarë të klasit të parë në Maqedoni, dhe se drejt kësaj çojnë marrëveshjet e arritura. Njerëzit mund të ndjejnë se janë pjesë e një shteti kur të trajtohen si qytetarë të rendit të parë, e jo të dytë e të tretë, nënvizoi zoti Engel. Ai tha se SHBA kërkon fuqishëm mbrojtjen e pakicave në Maqedoni prandaj, tha ai, inkurajojmë këto marrëveshje por dhe Kartën e Adriatikut, për çka tha se duhet parë nëse shtetet e Ballkanit mund të bëhen pjesë e Natos. Zyrtarë amerikanë dhe vetë zoti Engel do të vëzhgojnë dhe ndihmojnë zbatimin e marrëveshjeve në mënyrë që të gjithë qytetarët e Maqedonisë të jenë të barabartë.

Në lidhje me komentet e fundit të kryeministrit të ri serb Vojisllav Koshtunica për ndarjen në kantone të Kosovës, Eliot Engel tha se e kundërshton një gjë të tillë ndërsa populli i Kosovës, shtoi ai, ka të drejtë të përcaktojë të ardhmen e tij. Zoti Engel tha se e mbështetë një referendum për popullin e Kosovës.

Ligjvenesi amerikan Engel tha se e mbështetë pavarësinë për Kosovën dhe se pavarësia është e ardhmja e vetme e arsyeshme për Kosovën. Kosova asnjëherë nuk mund të jetë pjesë e Serbisë apo e Jugosllavisë sepse kjo nuk është e mundëshme më, duke pasur parasysh atë që ndodhi në vitin 99 dhe para kësaj, tha ai.

Zoti Engel tha se ministritë dhe administrimi duhet dorëzuar më shpejtë kosovarëve ndërkohë që standardet para statusit mund të funksionojë nëse ka një datë për referendumin e popullit të Kosovës. Ai poashtu i vë theksin nevojës së përshpejtimit të proceseve të privatizimit në Kosovë.

Në lidhje me Shqipërinë, anëtari amerikan i Kongresit, Eliot Engel thotë se është me rëndësi funksionimi i institucioneve demokratike dhe se nuk ka rëndësi se kush zgjidhet, por që të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike si dhe që demokracia të zëjë vend ndërsa korrupsioni të çrrënjoset.

"Korrupsioni është problem jo vetëm i Shqipërisë por dhe i tërë rajonit. Duhet vepruar në mënyrë që korrupsioni të çrrënjoset", tha zoti Engel.

XS
SM
MD
LG