Lidhje

Kryetari i kuvendit komunal të Prishtinës, Ismet Beqiri: Pushteti lokal - zanafilla e vetëqeverisjes - 2004-03-16


Këto ditë po zhvillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara një grup zyrtarësh vendorë nga Kosova. Vizita ka si qëllim njohjen e tyre me përvojën amerikane në qeverisjen vendore dhe zgjidhjen e problemeve të përditshme për popullatën. Në lidhje me këtë vizitë dhe çështje që kanë të bëjnë me punën e strukturave të pushtetit vendor në Kosovë, Zëri i Amerikës ftoi në emisionin ”Ditari” kryetarin e kuvendit komunal të Prishtinës, Ismet Beqiri.

Zëri i Amerikës: Sa i dobishëm ishte ky program për delegacionin tuaj nga Kosova?

Ismet Beqiri: Ne jemi dhjetë kryetarë në një program trajnimi, organizuar dhe financuar nga Departamenti i Shtetit dhe administruar nga Universiteti Xhorxhtaun këtu në Uashington. Sigurisht që gjatë këtyre ditëve kemi patur mundësi të shohim dhe të vizitojmë shumë institucione, kryetarë komunash dhe bashkish, rrethe të ndryshme, organizata, ndërmarrje, pastaj edhe institucione të rëndësishme historike të një rëndësie të veçantë për shtetin amerikan.

Zëri i Amerikës: Duke marrë parasysh ndryshimet e thella midis qyteteve në Shtetet e Bashkuara dhe qyteteve në Kosovë - një vend në fazë kalimtare, që porsa ka dalë nga lufta - përvojën e përfituar këtu a mund të përshtasni në kushtet e Kosovës sot?

Ismet Beqiri: Së pari, kemi ardhë në një vend që di, mund dhe dëshëron të na ndihmojë në mënyrën e re, nëse mund të thuhet, ose edhe më efektive, të menaxhimit të qyteteve tona. Sigurisht, që ka edhe dallime të theksuara në mënyrën e organizimit, në strukturën e pushtetit lokal këtu në Shtetet e Bashkuara, të pushtetit në bazë shtetesh dhe atij federal. Strukturat e këtushme të organizimit dallojnë një çikë nga tonat në Kosovë, por megjithatë mund të thuhet se problemet janë pothuajse identike, ndërkohë që mundësitë e realizimit, është shumë e qartë, dallojnë. Por unë besoj shumë që kemi fituar një përvojë të theksuar dhe kemi parë vlera të mirëfillta të shoqërisë amerikane dhe, para së gjithash, të pushteteve lokale, sepse mundësia që të vizitojmë shumë institucione në kuadër të një progami shumë dinamik, na e dha në të vërtetë këtë rast që të shohim dhe të bëjmë krahasime të caktuara sa dhe si mund t’i aplikojmë në vendet tona dhe në qytetet në Kosovë. Sigurisht që, në të ardhmen, programe të tilla do ta kenë efektin e vet gjithësesi, besoj.

Zëri i Amerikës: Cilat janë disa nga sfidat kryesore për Prishtinën, si kryeqendra e Kosovës?

Ismet Beqiri: Duke marrë për bazë faktin që Prishtina është kryeqytet i Kosovës, është qyteti më i madh, dhe sigurisht që nuk them se qytete të tjera e në përgjithësi Kosova nuk kanë probleme, si ato që kemi në Prishtinë, kryesisht të gjitha problemet janë të ngjashme edhe me komuna të tjera, por edhe në Prishtinë çështja e infrastrukturës, më tepër mund të thuhet, e përmirësimit të shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Këto janë sfidat me të cilat ballafaqohemi çdo ditë. Sigurisht që sfidë është për ne edhe mundësia e vogël buxhetore që kemi tani për tani, por fatbardhësisht dita-ditës ky buxhet i yni po forcohet dhe ç’është më e mira po krijohet nga hyrjet tona vetanake, qoftë si qytet, qoftë si Kosovë, dhe kjo na bën me shpresë se dalëngadalë po krijohet edhe një vetëdijësim edhe më i madh i qytetarëve që të ndikojnë dhe të na ndihmojnë në një mënyrë për forcimin e këtij buxheti, përmes të cilit, pastaj ne do t’ua kthenim në mënyrën tjetër, qoftë në infrastrukturë ose në forma të tjera dhe, një ndër ato që mua më ka bërë përshtypje, sigurisht, është forma e taksës apo, si aplikohet në Shtetet e Bashkuara përposë taksave apo tatimit në pronë, ajo e shitjes. Nëse në një shitore këtu merr diçka dhe fillimisht duket lirë, por duke i shtuar taksën, kushton më shtrenjtë, megjithatë është shumë reale, sepse kësisoji krijohet e forcohet edhe shteti e në këtë mënyrë ua kthen qytetarëve. Ka shumë ç’ka për të cilat këtyre ditëve kemi marrë një përvojë jashtëzakonisht të mirë dhe ajo, e thashë edhe në fillim, do të mund të ndahej në pjesën politike dhe praktike të këtyre vizitave. Kemi vizituar edhe ndërmarrje të ndryshme që kanë të bëjnë edhe me riciklimin e mbeturinave, p.sh., ose edhe me përpunimin e ujrave të zeza që është një mungesë e të gjitha qyteteve në Kosovë dhe sigurisht që, edhe si Prishtinë, do të bëjmë përpjekje që atë që mund të realizohen në kushtet tona, t’i aplikojmë dhe besoj se kjo do të bëhet.

Zëri i Amerikës: Shpesh dëgjohen kritika nga shqiptarët e Kosovës se autoritetet kosovare nuk kanë kompetenca të mjaftueshme. Nga pikëpamja juaj, a keni kompetenca të mjaftueshme për të zgjidhur problemet e përditshme popullsisë së Prishtinës?

Ismet Beqiri: Vetë fakti që në Kosovë ekziston një pushtet, nëse mund të thuhet, madje i trefishtë: niveli qendror, ky hyn edhe pushteti vendas dhe ai ndërkombëtar e pastaj niveli lokal. Kemi ndërkombëtarët ose përfaqësuesit e UNMIK-ut që kanë disa kompetenca, por tash, mund të thuhet, më të zvogëluara dhe ata luajnë rolin më tepër të vëzhguesit; ish-administratorët e qyteteve tani më tepër kanë cilësinë e vëzhguesve. Prandaj kemi mendimin që rregulloret mbi vetëqeverisjen lokale, në bazë të të cilave ne punojmë si pushtete lokale, janë të tejkaluara dhe duhen ndryshuar. Ato u duhen përshtatur rrethanave të reja, sepse, megjithatë, në Kosovë ka avancime, ka progres. Kjo vlen edhe për pushtetet lokale dhe aspirata jonë dhe e të gjithë qytetarëve të Kosovës që të ndërtojmë një shtet demokratik, një shoqëri demokratike dhe të pavarur, pikërisht mendoj se zanafillën e ka në pushtetet lokale. Aty, më së miri, fillon të ndërtohet pavarësia e pushteteve dhe e shoqërisë e, pastaj, shtrihet gjer më lart. Jemi të kufizuar ende në ca kompentenca, por shpresojmë që, me kohë, duhet të kalojnë të gjitha tek vendorët, sepse kemi dëshmuar dhe po dëshmojmë çdo ditë se mundemi dhe dimë të menaxhojmë, jo vetëm qytetet tona, por edhe Kosovën. //az//

XS
SM
MD
LG