Lidhje

Engel: Dhuna dëmton interesat e shqiptarëve për pavarësi - 2004-03-20


Dhuna nuk u shërben shqiptarëve në Kosovë, përkundrazi i dëmton interesat e tyre për pavarësi dhe vetvendosje. Kështu u shpreh në një intervistë me Zërin e Amerikës ligjvënësi amerikan Elliot Engel, i cili u bëri thirje shqiptarëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të ndalin menjëherë aktet e dhunës. Ligjvënësi Eliot Engel shprehu shqetësim për dhunën në Kosovë.

“Sa herë që në Kosovë shpërthen dhuna, kjo ndikon negativisht në të ardhmen e Kosovës, prandaj jam shumë i tronditur. Dhuna nuk është në të mirë të askujt. Pa dyshim nuk është në të mirë të çështjes shqiptare në Kosovë, as në të mirë të së ardhmes së Kosovës, për të cilin zgjidhja e vetme është pavarësia.”

Dhuna tha ligjvenësi Engel e vonon për vite të tëra zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

“Unë po bëj përpjekje intensive në Washington për ta ngritur për shqyrtim statusin përfundimtar të Kosovës, gjë që përbën të vetmen zgjidhje për problemet në Kosovë: që Kosova të jetë një vend i lirë dhe i pavarur dhe që populli i Kosovës të ketë të drejtën për vetvendosje. Por dua të theksoj se dhuna e shtyn për vite të tjera çështjen e pavarësisë së Kosovës.”

Ligjvënësi Engle kritikoi qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar që e ka shtyrë çështjen e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

“Të gjithë jemi të nervozuar dhe të zemëruar sepse komuniteti ndërkombëtar, sipas mendimit tim, nuk ka bërë një punë fort të mirë për të zgjidhur gjendjen në Kosovë duke marrë një vendim për statusin përfundimtar. Kjo çështje po shtyhet së tepërmi, shumë njerëz janë të nervozuar pasi nuk i shihet fundi kësaj situate. Ne duhet t’i themi komunitetit ndërkombëtar, ashtu siç kam bërë unë në Uashington, se statusi përfundimtar i Kosovës duhet shqyrtuar menjëherë dhe duhet të kemi një afat kohor, në mënyrë që populli i Kosovës ta kuptojë se brenda një date të caktuar do të mbahet një referendum për vetvendosje.”

Ligjvënësi Eliot Engel, i cili i ka përkrahur me forcë të drejtat e shqiptarëve, u bëri thirrje banorëve në Kosovë të mos lejojnë përhapjen e dhunës dhe të tregojnë se janë të aftë të ruajnë qetësinë edhe në momente të vështira.

“Mbytja e dy djemve ishte një ngjarje e tmerrshme që më tronditi pa masë, por kjo nuk duhet përdorur si arësyetim për shtrirjen e dhunës. Dhuna nuk u shërben shqiptarëve. Nëse në Kosovë ka dhunë, komuniteti ndërkombëtar do të thotë se Kosova nuk është gati për statusin përfundimtar. Nuk duam që të ndodhë një gjë e tillë. Duam që komuniteti ndërkombëtar të thotë se zgjidhja e statusit përfundimtar është e mundshme, se populli i Kosovës është i përgatitur dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse populli i Kosovës ndal dhunën.”

XS
SM
MD
LG