Lidhje

Një ligjvënës amerikan fajëson zvarritjen e statusit përfundimtar për trazirat - 2004-03-20


Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, Henri Hyde i cilësoi trazirat e ditëve të fundit në Kosovë si alarmuese. Ligjvënësi Hajd tha se në situata të tilla, roli i udhëheqësve vendorë ështe vendimtar për qetësimin e gjendjes.

Ligjvënësi Hajd fajësoi për trazirat e tanishme zvarritjen e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kososvës dhe gjendjen e rëndë ekonomike dhe papunësinë tepër të lartë.

Ligjvënësi Hajd u bëri thirrje zyrtarëve ndërkombëtarë të Kosovës dhe udhëheqësve të saj politikë që të mbajnë të hapur dialogun dhe të përpiqen për të zgjidhur rrënjët e shkaqeve që çuan në trazirat e ditëve të fundit. Ai theksoi se roli i udhëheqësve vendorë në situata të tilla është vendimtar për qetësimin e gjendjes. Ligjvënësi Henri Hajd shprehu keqardhje për viktimat para dhe pas shpërthimit të trazirave.

Ligjvënësi Hajd i bëri këto komente gjatë një darke me anëtarët e këshillit drejtues të Lidhjes qytetare Shqiptaro Amerikane e kryesuar nga zoti Xhozef Dioguardi dhe bashkëshortja e tij Sherli Clojs. Kjo shoqatë lobiste shpalli dje fushatën e saj me moton Pavarësi për Kosovën Tani.

Ligjvënësi Hajd njihet si përkrahës i pavarësisë për Kosovën. Pas trazirave të ditëve të fundit, tha ligjvenësi Hajd, pavarësia e Kosovës do të ishte rruga e vetme për paqe dhe qëndrueshmëri në Ballkan. Zoti Hajd u bëri thirrje zyrtarëve ndërkombëtare dhe atyre vendorë në Kosovë që të mbajnë të hapur dialogun politik dhe të përpiqen për të gjetur shkaqet që çuan në trazira.

Ndërkohë, ligjvënësi Kristofor Smith, kryetar i Komisionit mbi Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, thotë se e dënon ashpër dhunën e ditëve të fundit, e cila është krejtësisht e pajustifikueshme. Kjo dhunë, thotë ligjvënësi Smith, nuk është një tragjedi as sërbe e as shqiptare, por është një tragjedi njerëzore në të cilën njerëz të pafajshëm kanë humbur jetën ose janë plagosur, ndërkohë që shtëpi dhe objekte fetare janë dëmtuar ose shkatërruar. Ligjvënësi Smith u bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë masa të nevojëshme për të parandaluar incidente të mëtejshme me dhunë. //kk//

XS
SM
MD
LG