Lidhje

Uilliams: Statusi përfundimtar i Kosovës-pavarësia - 2004-03-30


Profesor Pol Uilliams, i cili ka qenë edhe këshilltar i delegacionit shqiptar në bisedimet e Rambujesë, tha në një intervistë për "Ditarin" se ka vetëm një zgjedhje për statusin përfundimtar të Kosovës, një Kosovë plotësisht e pavarur me kufijtë e tanishëm, e cila të veprojë si një shoqëri shumë-etnike, pluraliste

Zëri i Amerikës: Profesor Williams, gjatë ditëve të fundit kemi patur një shtim të diplomacisë për çështjen e Kosovës. Nënsekretari amerikan i Shtetit Mark Grossman vizitoi Beogradin dhe Prishtinën; ndërkohë udhëheqësit evropianë janë takuar me përfaqësuesit e qeverisë së Beogradit. A mund të pritet ndonjë nismë e re për Kosovën në këto kushte?

Pol Uilliams: Bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar, mendoj unë, se qëndrimi "standarte para statusit" ka dështuar, pasi ka penguar zhvillimin politik në Kosovë gjatë katër viteve të fundit. Për fat të keq, u desh të shpërthente dhuna, që Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të kuptonin se politikat e tyre ishin të dështuara dhe që Shtetet e Bashkuara të kuptonin se e kanë lënë në harresë Kosovën dhe se kanë shpërdoruar dashamirësinë që ka populli i Kosovës për Shtetet e Bashkuara. Kam besim se do të ketë një rishqyrtim të politikës amerikane: amerikanët do të udhëheqin evropianët drejt një procesi më praktik, do të ketë një masë tranferimi të autoritetit dhe caktimin e një afati specifik kohor për pavarësinë.

Zëri i Ameirkës: Disa ekspertë këmbëngulin se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet ta shqyrtojnë sa më shpejt në këto kushte statusin përfundimtar të Kosovës, ndërkohë që kryeadministratori Holkeri thotë se kjo do të ishte një lloj shpërblimi për dhunën. Cilat janë pikëpamjet tuaja lidhur me këtë çështje?

Pol Uilliams: Ka shumë rëndësi të kuptohet se medota e deritanishme nuk ka pasur sukses. E vetmja mënyrë për të normalizuar situatën politike në Kosovë është të përparohet me shpejtësi drejt një lloj përcaktimi të statusit përfundimtar dhe të vendoset Kosova në një rrugë të ngjashme me atë të Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë, pra pavarësi me mbështetje të fortë ndërkombëtare dhe garanci për sigurim për transformimin e kësaj shoqërie. Evropianët dhe disa prej vendeve anëtare të OKB-së kanë thënë se përparimi drejt caktimit të statusit përfundimtar do të përbënte shpërblim për dhunën, por në fakt, kjo përbën shpërblim për elementët e moderuar, të cilët të bashkuar, ngritën zërin kundër dhunës, dhe kanë krijuar një fond për të rindërtuar kishat dhe banesat serbe. Statusi përfundimtar, mendoj unë, është e vetmja mënyrë për të mënjanuar ekstremistët. Vazhdimi i politikës së standarteve para statusit edhe për 2-3 vjet të tjera do të ishte shpërblim për dhunën pasi do të shtonte radhët e këtyre elementëve me pasues të rinj. Udhëheqja e Kosovës njëzëri ka treguar qëndrimin e saj të moderuar, duke dënuar dhunën, prandaj ajo duhet të shpërblehen tani. Kjo në fakt do të jetë edhe në interes të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Pra është një zgjidhje në interes të të gjitha palëve.

Zëri i Amerikës: Profesor Williams, a mendoni se kriza e fundit e ka forcuar pozitën e Beogradit?

Pol Uilliams:Kriza e fundit mund ta forcojë pozitën e Beogradit, vetëm nëse udhëheqja e Kosovës nuk qëndron solide. Udhëheqja e Kosovës duhet të jetë e përqëndruar, të forcojë autoritetin e saj, të kufizojë veprimtarinë e ekstremistëve në Kosovë, dhe të mbajë në distancë Beogradin, pasi si rrjedhojë e regjimit nacionalist që është në pushtet atje, Beogradi do të kërkojë çdo arsye për të rivendosur autoritetin e tij në Kosovë. Beogradi e përdor Kosovën dhe Malin e Zi për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme politike në Serbi. Dhuna në Kosovë i shërben këtij synimi të Beogradit.

Zëri i Amerikës: Dhe në fund, profesor Williams, si e shikoni të ardhmen e Kosovës, pavarësia, ndarja e saj apo një shoqëri demokratike shumë-etnike?

Pol Uilliams:Ka vetëm një zgjedhje për statusin përfundimtar të Kosovës, një Kosovë plotësisht e pavarur me kufijtë e tanishëm, e cila të veprojë si një shoqëri shumë-etnike, pluraliste. Nuk është e mundur që Kosova të ndahet, së pari si rrjedhojë e enklavave, dhe e dyta si rrjedhojë e shembullit që jep për Serbinë, Bosnjën, Maqedoninë dhe të gjitha vendet në rajon. Po ashtu nuk mund të ekzistojë një Kosovë një-etnike. Prirja është drejt shoqërive shumë-etnike dhe pluraliste dhe Kosova duhet të bashkohet me këtë prirje për të ecur drejt integrimit në Evropë. Por është e rëndësishme që të mos krijojmë një Kosovë të stilit të Bosnjës, por të stilit të Kroacisë, apo Sllovenisë. Pra shqiptarët duhet të marrin në dorë të ardhmen e tyre politike, dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të ofrojë mbështetjen teknike. Por kjo mund të arrihet vetëm në kushtet kur udhëheqësit e Kosovës të kenë në duar përgjegjësitë. Unë besoj se në Kosovë ekziston kapaciteti, i cili është treguar përballë sfidave gjatë dy viteve të fundit dhe se udhëheqësit e Kosovës do të bëhen anëtarë të përgjegjshëm të bashkësisë ndërkombëtare, po aq shpejt sa disa prej vendeve të tjera fqinje.

XS
SM
MD
LG