Lidhje

Bush: i gatshëm të bashkëpunoj me komisionin e pavarur hetimor - 2004-04-06


Presidenti Bush thotë se është i gatshëm t’i japë komisionit të pavarur hetimor që po heton sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, gjithë informacionin që kërkon.

Presidenti Bush tha të hënën gjatë një ndalese në Karolinën e Veriut se sikur anëtarët e administratës së tij të kishin ditur se terroristët do të përdornin avionë për të goditur ndërtesat tona, ata do të kishin bërë ç’është e mundur për t’i ndaluar ata. Presidenti theksoi se pas sulmeve, ai filloi menjëherë luftën kundër rrjetit terrorist al-Kaida.

Presidenti Bush dhe Nënpresidenti Dik Çeni do të zhvillojnë brenda dy javësh një takim me dyer të mbyllura me 10 anëtarët e komisionit ndërpartiak.

Këshilltarja e presidentit për sigurinë kombëtare, Kondaliza Rajs, do të dëshmojë publikisht para komisionit të enjten. Vendimi për të lejuar zonjën Rajs që të dëshmojë publikisht u mor pas akuzave nga ish zyrtari i administratës së Presidentit Bush kundër terrorizmit, Riçard Klark, se Shtëpia e Bardhë nuk i kishte kushtuar vëmendjen e duhur kërcënimit që al-Kaidase paraqiste para sulmeve të shtatorit dhe se më pas u përqendrua me ngulm tek Iraku.

XS
SM
MD
LG