Lidhje

Trupat amerikane luftojnë kundër forcave të qëndresës në Irakun qëndror dhe jugor - 2004-04-10


Një vit pas rënies së Sadam Huseinit, forcat amerikane në Irak e kaluan ditën e djeshme duke luftuar, jo kundër trupave irakiane, por kundër ekstremistëve shiitë dhe suni, të cilët kundërshtojnë praninë e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Dje, ushtarët e koalicionit në Bagdad grisën fotografitë e klerikut kryengritës shiit, Moktada al-Sadër, nga i njëjti shesh ku para një viti pikërisht më 9 prill, trupat rrëzuan statujën e Sadam Huseinit, ndërkohë që irakianët e çliruar brohorisnin.

Por një vit më vonë, forcat amerikane vazhdojnë luftimet, këtë herë kundër një kryengritjeje të luftëtarëve shiitë dhe suni anti-koalicionit. Ndërkohë që këta shiitë demonstronin në Bagdad, gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Kimmitt tha se trupat amerikane ishin nisur drejt jugut, me mision për të vënë përsëri nën kontroll qytetet e mara nën kontrollin e ekstremistëve shiitë.

“Do t’u kërkoja atyre personave që sulmojnë koalicionin, ose që sulmojnë qendrat e qeverisë irakiane, ose që sulmojnë stacionet e policisë irakiane që të ndjekin nga afër mënyrën e organizimit të operacioneve tona për të parë se sa shpejt ne jemi në gjendje të ripozicionojmë një forcë të koalicionit.”

Operacionet amerikane për rivendosjen e rendit në qytetet e shenjta të Naxhafit dhe Qerbelasë u shtynë për të mos penguar vërshimin e shiitëve në ato qytete gjatë ditëve të ardhme për të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e martirizimit të një kleriku fetar shiitë.

“Ne presim që këto qytete, ku do të zhvillohen ceremonitë përkujtimore, do të vazhdojnë të jenë deri në një farë mase nën influencën e klerikut al-Sadër.”

Ndërkohë që luftimet vazhdonin, dje pati viktima të tjera amerikane. Persona të armatosur sulmuan një autokolonë amerikane për furnizimin me karburant në perëndim të Bagdadit, duke vrarë një ushtar amerikan dhe një shofer irakian. U njoftua se një amerikan tjetër humbi jetën nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës.

Viktimat më të shumta u shkaktuan në luftimet 5-ditëshe midis marinsave amerikanë dhe luftëtarëve suni në qytetet Falluxha dhe Ramadi. Ushtria amerikane kërkoi dje një armëpushim të përkohshëm në Falluxha për të lejuar që furnizimet humanitare t’u arrinin civilëve dhe sipas gjeneralit Kimmitt:

“Për t’u dhënë qarqeve politike mundësinë për t’u përpjekur për uljen e akteve të dhunës.”

Lajmet bëjnë të ditur se deri në disa qindra irakianë kanë humbur jetën nga luftimet në Falluxha, të cilat filluan si pasojë e vrasjeve brutale javën e kaluar të 4 kontraktuesve civilë amerikanë në atë qytet. Sulmi i marinsave ka zemëruar aq shumë disa anëtarë të Këshillit të Përkohshëm Qeverisës Irakian sa që disa prej tyre ose kanë pezulluar pjesëmarrjen e tyre në këshill ose kanë kërcënuar se do të tërhiqen prej tij.

//ze//

XS
SM
MD
LG