Lidhje

SHBA do të zgjasin shërbimin ushtarak të 20 mijë trupave amerikane që ndodhen në Irak - 2004-04-16


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld miratoi një kërkesë të komandantëve në Irak për të fuqizuar nivelin e trupave amerikane të dislokuara atje në rreth 135 mijë. Rreth 1 e katërta e 20 mijë amerikanëve që kanë marrë urdhër të mos largohen nga Iraku janë trupa të Gardës Kombëtare ose të forcave rezervë.

"Ne parashikojmë që ata të qëndrojnë në Irak edhe për deri në 90 ditë të tjera."

Tashmë që lufta ka hyrë në vitin e dytë, disa rezervistë kanë më shumë se një vit që janë larguar nga punët e tyre të rregullta, duke u bërë shkas që disa pjesëtarë të familjeve të tyre të ngrenë zërin kundër luftës. Duke përshkruar gjendjen aktuale si një provë për vullnetin e koalicionit në Irak, Sekretari Rumsfeld pohoi dje se një vit më parë nuk e kishte parashikuar që dhuna në Irak, veçanërisht ndaj forcave të koalicionit, do të arrinte nivele të tilla.

"Një vit më parë nuk mendoj se ndokush do të kishte ditur të ma përshkruante situatën në të cilën gjendemi sot."

Forcat e koalicionit tani janë përqëndruar në dy pika kryesore konflikti. Më shumë se 2 mijë forca amerikane mbajnë të rrethuar qytetin e shenjtë shiit të Naxhafit, ku negociatat vazhdojnë me klerikun Moktada al-Sadr, ndërkohë që mijëra pasues të tij kanë organizuar një kryengritje kundër ndërhyrjes së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Irani, i cili ka një ndikim të madh mbi shiitët në Irak, ka dërguar në Irak një zyrtar të lartë të ministrisë së jashtme për të ndërmjetësuar përfundimin e luftimeve. Por një ndër diplomatët iranianë në Bagdat u vra dje nga persona të armatosur të paidentifikuar. Nuk dihet nëse ky sulm kishte lidhje me përpjekjet për ndërmjetësim të Teheranit. Njëkohësisht, komandantët amerikanë thonë se qyteti i Falluxhas mbetet i rrethuar nga marinsat amerikanë, të cilët ende ndeshen me zjarrin e kryengritësve suni.

Të afërmit e tre civilëve japonezë të rrëmbyer në Irak i përcollën me brohoritje pamjet televizive të lirimit të tre pengjeve. Ata u morën peng javën e kaluar dhe u kërcënuan me vdekje nga persona të armatosur që i kërkuan Japonisë tërheqjen e 500 trupave të saj nga Iraku, kërkesë që Tokioja e hodhi poshtë.

Zyrtarët amerikanë thonë se zëri i regjistrimit ka të ngjarë të jetë zëri i Osama bin Ladenit, i cili u transmetua nga një televizion arab. Personi i regjistruar në kasetë u ofron armpushim vendeve evropian që nuk angazhohen ushtarakisht kundër vendeve myslimane, ofertë që vendet kryesore evropiane e kanë hedhur poshtë. Analistët e kanë cilësuar regjistrimin e bin Ladenit një përpjekje nga udhëheqësi i al-Kaidës për të krijuar një hendek ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.

//ze//

XS
SM
MD
LG