Lidhje

8 kryengritës irakianë dhe një marins amerikan u vranë në Falluxhah të Irakut - 2004-04-26


Të paktën 8 kryengritës irakianë dhe një marins amerikan u vranë në luftimet që shpërthyen në qytetin Falluxhah të Irakut të hënën megjithëse në qytet ishte shpallur armëpushimi.

Gjenerali amerikan, Mark Kimmitt, tha se marinsat u sulmuan nga kryengritësit, që hapën zjarr me armë të lehta dhe granada nga dritaret e minaresë së një xhamie. Ai tha se minareja u shkatërrua gjatë luftimeve.

Gjenerali Kimmitt tha në Bagdad se 2 ushtarë amerikanë u vranë dhe të paktën 5 të tjerë u plagosën nga një shpërthim në një depo materialesh kimike që po kontrollohej për armë.

Gjenerali Kimmitt tha se shkaku i shpërthimit nuk është përcaktuar ende. Ai tha se pronari i depos dhe bashkëpunëtorët e tij dyshoheshin se furnizonin kyengritësit me municion kimik.

Në një zhvillim tjetër, një zyrtar i lartë civil amerikan në Bagdad tha se ekstremistë që mbështesin klerikun shiit, Moqtada al-Sadr po grumbullojnë armë në qytetin jugor të Najafit nëpër xhami, vende të shenjta dhe shkolla.

Zëdhënësi i koalicionit, Dan Senor, u bëri thirrje banorëve të Naxhafit për t’i kthyer xhamitë në vende lutjesh. Ai paralajmëroi se xhamitë nuk mbrohen nga Konventa e Gjenevës, në qoftë se përdoren si baza për ndërmarrjen e operacioneve ushtarake apo si depo armësh.

Forcat amerikane janë mbledhur jashtë qytetit të shenjtë shi’it dhe kanë kërcënuar se do ta kapin ose do ta vrasin Moqtada al-Sadrin, përkrahësit e të cilit kanë ndërmarrë sulme kundër forcave të koalicionit.//ii

XS
SM
MD
LG