Lidhje

PS, PD dakord me rekomandimet, por vënë në dyshim vullnetin politik të njëra-tjetrës - 2004-05-05


Dy drejtues të lartë të Partisë Sociliste në pushtet dhe asaj demokratike të opozitës shprehën të mërkurën qëndrimet e forcave të tyre politike mbi reformën zgjedhore dhe rekomandimet e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias për përmirësimin e kodit dhe administratës zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe kryetari i shumicës socialiste në parlament zoti Gramoz Ruçi dhe Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe Kryetar i Grupit parlamentar të demokratëve të opozitës, zoti Bamir Topi, folën për këto çështje në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruçi, a janë të realizueshme, dhe ajo që ka më tepër rëndësi, të zbatueshme, rekomandimet e zyrës së ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias?

Gramoz Ruçi: Sapo kanë mbërritur në selinë e Partisë Socialiste rekomandime dhe sapo kanë përfunduar kontaktet e para me përfaqësuesit e OSBE-së, ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias. Ne jemi duke i studiuar me shumë seriozitet ato dhe paraprakisht mund të shprehim gadishmërinë dhe vullnetin tonë të plotë politik që i shikojmë tërësisht të drejta rekomandimet e bëra nga këto tre institucione dhe se vullneti i forcës sonë politike do të vazhdojë të jetë konstant për të konkretizuar dhe materializuar në përmirësimet dhe ndryshimet që do t’i bëhen në periudhën në vazhdimësi kodit elektoral për zgjedhjet e vitit 2005.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, opozita ka shtruar një sërë kërkesash për përmirësimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri. A u japin përgjigje rekomandimet e bëra nga ODIHR-i shqetësimeve tuaja. A jenin ju dakord me këto rekomandime?

Bamir Topi: Do të thoja që rekomandimet që vijnë nga Komisioni i Venecias dhe nga OSBE-ja, ODIHR-i, janë rezultat i konsultimeve të vazhdueshme që Partia Demokratike ka mbajtur me këto institucione, mbas shqetësimeve të mëdha që janë të lidhura natyrisht me dhunimet frekuente të viteve të fundit, të zgjedhjeve, qoftë ato të zgjedhjeve politike, qoftë ato të zhvilluara në tetorin e vitit të kaluar. Natyrisht opozita është shprehur e gatshme për të demonstruar një vullnet të plotë politik, çka e ka demonstruar gjithashtu qoftë në përpilimin e kodit zgjedhor, qoftë në realizimin e zgjedhjeve, të cilat për hir të së vërtetës janë manipuluar sikurse thashë në mënyrë frekuente nga Partia Socialiste. Kështu që në Shqipëri problemi do të thoja që nuk ka qenë thjesht tek kodi zgjedhor, por ka qenë pikësëpari tek vullneti politik dhe qeveria e cila drejtohet nga socialistët vazhdimisht ka qenë e motivuar që zgjedhjet të mos i realizojë të lira dhe të ndershme. Kjo ka qenë arsyeja që ne vazhdimisht kemi qenë të shqetësuar që krahas rregullimit të atyre elementëve që duhet të ishin rregulluar, sikurse është balancimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çka do të thotë që nuk ka nevojë për një përmirësim të këtij ligji, sepse ligji ekziston, por edhe elementë të tjerë sidomos ato që kanë të bëjnë me listat, është një element mjaft preokupant për opozitën, pasi është detyrim i qeverisë, i Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Pushtetit Vendor që në dominancë është nën Partinë Socialiste, për të realizuar pikërisht një element të rëndësishëm që ka të bëjë me infrastrukturën zgjedhore.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi para se të kalojmë tek qëndrimi i Partisë Socialiste për këto çështje që ngritët ju, dua ta pyes zotin Ruçi për paketën e propozimeve që ngriti këto ditë Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu. Pra, zoti Ruçi cili është qëndrimi i Partisë Socialiste për propozimet e presidentit Moisiu?

Gramoz Ruçi: Sigurisht që ka disa ditë që Presidenti Moisiu ka paraqitur disa propozime si rezultat i një grupi prej 11 personalitetesh të jetës politike, shoqërore, akademike shqiptare. Ne qysh në fillim kemi shprehur mendimin tonë se kur ke një problem, apo një proces siç është procesi i zgjedhjeve në Shqipëri, apo problemi i përmirësimeve dhe i ndryshimeve të kodit elektoral, është gjithmonë më mirë të këshillohesh dhe të kesh këshilla sesa të mungojnë, apo të mos këshillohesh. Njëherësh ato vijnë nga institucioni më i lartë i shtetit siç është Presidenti i vendit, i cili prej gati dy muajsh ka ftuar pranë presidencës disa personalitete me integritet akademik, politik, shoqëror, konstitucionalistë të afirmuar, si edhe njohës mjaft të mirë të problematikës elektorale, të problematikës politike, të problematikës sociale shqiptare. Prandaj ne mendojmë se nuk ka vend për t’i paragjykuar as këta personalitete, aq më pak për të mos e marrë në konsideratë, mjaft fusha për të cilat ata kanë shprehur mendime dhe kanë dhënë këshilla, siç është sistemi i zgjedhjeve, siç janë listat e zgjedhjeve, siç është numërimi i votave, siç janë komisionet zgjedhore, komisioni qendror i zgjedhjeve, ankimimet, financimi i fushatës elektorale etj. Pra do të gjykojmë dhe mendojmë se gjatë tryezës së aktorëve dhe faktorëve politikë dhe institucionalë të vendit, të cilët do të merren me përmirësimet dhe ndryshimet në kod, veç sugjerimeve, veç rekomandimeve që ka bërë OSBE-ja, ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias, edhë këto këshilla nga Grupi të Urtëve, të ftuar nga Presidenti i Republikës, janë një material më shumë, të cilat vlejnë për t’u diskutuar me aktorët dhe faktorët politikë të cilët janë mbledhur dhe në tavolinën parlamentare shqiptare.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruçi, a keni besim ju, se këto probleme të shumta në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri, me përmirësimin e kodit zgjedhor, mund të kapërcehen me bisedime, me një tryezë politike, me një forum politik të çfarëdo forme qoftë?

Gramoz Ruçi: Unë do të vlerësoja se asgjë nuk është e pamundur, mjafton të ekzistojë vullneti politik. Së dyti unë do të mendoja se nuk është e pamundur edhe për faktin tjetër se për herë të parë mes PD-së dhe PS-së, si rezultat i komisionit bipartizan, mgritur me konsensus nga të dyja palët, gati dy vjet më parë, në zgjedhjet e kaluara të 12 tetorit, u arrit një konsensus i përbashkët i dy forcave politike dhe mund të konfirmoj që kodi elektoral, i cili u verifikua në zgjedhjet e 12 tetorit, është një arritje e politikës shqiptare, është një arritje e dialogut, e tryezës mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri dhe se mendoj që edhe rekomandimet e bëra nuk janë një përmbysje e kodit elektoral, por janë përmirësime si rezultat i verifikimeve që iu bënë këtij kodi në zgjedhjet e 12 tetorit 2003.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, të dyja palët shprehen për vullnet politik. A shikoni ju mundësinë e bisedimeve, për të rënë të dyja palët dakord që procesi zgjedhor në Shqipëri të jetë i rregullt, pasi me disa kërkesa që ka parashtruar opozita siç është largimi i Kryeministrit Nano, duken pak si kërkesa ultimative që mund të bllokojnë jetën politike në vend?

Bamir Topi: Unë mendoj që kolegu im Ruçi është në linjën e demagogjisë të Partisë Socialiste, duke pretenduar që shfaq një vullnet pozitiv politik, për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërkohë që ekzistojnë të gjithë precedentët e dhunimit të zgjedhjeve dhe nuk besoj që të ketë ndryshuar gjuha. Gjuha dhe linja e komunikimit me publikun është e njëjta e përdorur edhe vite më parë dhe kur diskutojmë pastaj për të bërë analizën e zgjedhjeve, gjithmonë mbetemi në atë vullnet të munguar politik të Partisë Socialiste për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne mendojmë që zoti President i Republikës, e ka pasur plotësisht të mundshme, sepse ky institucion u zgjodh nga të gjitha forcat politike të opozitës dhe pozitës, pikërisht për të realizuar një qëndrim objektiv të këtij institucioni të rëndësishëm, mbi atë që ne e konsiderojmë jetike për fatin e demokracisë në Shqipëri. //kk//

XS
SM
MD
LG