Lidhje

Amnesty International: “Paqëruajtësit e UNMIK-ut dhe KFOR-it – nxitës të zhvillimit të trafikimit në Kosovë” - 2004-05-06


Përfaqësuesit e Organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Amnesty International”, thanë në Prishtinë se pjestarët e misionit paqëruajtës në Kosovë janë përgjegjës për nxitjen e shfytëzimit të grave dhe vajzave të trafikuara dhe inkurajimin e trafikimit të tyre. Këto komente u bënë gjatë publikimit të një raporti të kësaj organizate në kuadër të fushatës për ndalimin e dhunës ndaj grave. Sean Jones, nga kjo organizatë, tha se trafikimi i grave më së shumti bëhet nga disa vende të Evropës Lindore si Moldavia, Rumania, Bullgaria e Ukraina, ndërsa janë të përfshira edhe vajzat nga Kosova që trafikohen brenda kufijve të saj.

“Amnesti International mendon se ardhja e forcave paqërujatëse të KFOR-it dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara, ishte katalizator për zhvillimin e trafikimit në Kosovë”, tha zonja Jones. Kjo, shtoi ajo, është parë edhe në vendet tjera si në Bosnjë ku paqërujatësit janë përgjegjës për rritjen e industrisë së seksit. Ajo tha se edhe vetë Kombet e Bashkuara kanë pohuar se paqëruajtësit janë më shumë pjesë e problemit sesa e zgjidhjes. Në këtë kuadër ajo tha se në vitet 1999-2000, vlerësohej se rreth 80 për qind e klinetelës së grave të trafikuara ishin pjestarë të misionit ndërkombëtarë në Kosovë.

Një vit më vonë kjo përqindja ra në 30, ndërsa aktualisht vlerësohet se 20 për qind e klientëve janë ndërkombëtarë. Ndërmjet janarit të vitit 2002 dhe korrikut të vitit 2003, 22 deri në 27 pjestarë të forcave paqërujatëse të KFOR-it, janë dyshuar se ishin përfshirë në veprime që kanë të bëjnë me trafikimin. Tash për tash nuk dihet nëse është ndërmarrë ndonjë masë kundër tyre.

“Në raport nënvizohet dështimi i UNMIK-ut dhe KFOR-it për të shfrytëzuar fuqinë e tyre që të vënë para drejtësisë ata që janë përfshirë në trafikim dhe atyre që kanë shfytëzuar shërbimet e grave të trafikuara”, tha zonja Jones.

Ajo tha se këto institucione ndërkombëtare sikundër edhe ato të vetëqeverisjes së përkoshme, kanë dështuar të mbrojnë dhe respektojnë të drejtat njerzore të grave të trafikuara. Trafikimi në Kosovë dhe shoqëritë tjera paskonflikteve nuk do të marrë fund asnjëherë përderisa trafikantët vazhdojnë të jenë të lirë, ndërsa personeli civil dhe ushtarak është i lejuar të bëjë shkelje të të drejtave njerzore pa frikë nga ndëshkimi.

Amnesty International është shprehur kritike edhe ndaj mungesës së infrastrukturës ligjore për mbrojtjen e grave të trafikuara. Ato shumë herë trajtohen edhe vetë si kriminele dhe ndiqen për qëndrim të paligjshëm në Kosovë, akzuohen për prostitucion, nuk janë të informuara për të drejtat e tyre dhe nuk kanë mbrojtës ligjor. Atyre nuk u ofrohet as mbrojtje nga programi për mbrojtjen e dëshmitarëve as në rastet ku janë të gatshme që të dëshmojnë kundër trafikantëve.

Zyrtarët e forcave paqëruajtëse thanë ndërkaq se veprimet e pjestarëve të KFOR-it kontrollohen nga vendet prej nga ata vijnë. Zëdhënësi i këtyre trupave Jim Moran tha se KFOR-i nuk do të lejojë trafikimin e qenieve njerzore duke mohuar që përgjegjësia të bjerë edhe mbi këtë organizatë ushtarake.

“Jo, KFOR-I nuk ka dështuar”, tha zoti Moran duke përsëritur se është në duart e çdo vendi veç e veç që të sigurohet se ushtarët e tij respektojnë rregullat. Ajo që mund të bëjë KFOR-i është që të kthejë mbrapsht çdo pjestar që përfshihet në veprime të tilla.

XS
SM
MD
LG