Lidhje

Politika amerikane duket se është e ndarë në dy kampe, konservatorët përballë liberalëve - 2004-05-06


Në Shtetet e Bashkuara vazhdon fushata për zgjedhjet presidenciale, ndërkohë që vendi është i angazhuar në luftën kundër terrorizmit. Anketat e fundit tregojnë se Presidenti Bush ka një garë të vështirë me kandidatin demokrat, Senatorin John Kerry. Por kanë mbetur ende 6 muaj të tjerë fushatë, dhe 70 për qind e të anketuarve thonë se ende nuk kanë vendosur se për kë do të votojnë. Siç njofton korrespondentja Serena Parker, politika amerikane duket se është e ndarë në dy kampe, konservatorët përballë liberalëve, të cilët nuk duket se po gjejnë një gjuhë kompromisi mes tyre:

Dean Roper nga shteti Arkansa, i cili prej 9 vjetësh jeton në Darmstad të Gjermanisë, e ka ndjekur me vëmendje gjendjen në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht atmosferën politike. Ai thotë se ka në plan të votojë për senatorin Kerry, ndërkohë që Presidentin Bush e cilëson si Maverik dhe puritan:

”Nëse e dogjoj edhe një herë që të përmendë termin “keqbërës” do të ulërij. Nuk e di kush e përfshiu këtë term në fjalim, por ai person duhet pushuar menjëherë. Mendoj se ai është udhëheqës i vendosur, por vendimet e tij pas 11 shatorit janë të pashpjegueshme për të gjithë ne.”

Zoti Roper vjen nga një familje protestante, por që kur u vendos në Gjermani, nuk ka shkuar në kishë. Ai mbështet një politikë të jashtme më ndërkombëtare dhe mendon se ndërhyrja në Irak ishte gabim. Ai mbështet gjithashtu politikat në mbrojtje të mjedisit, të drejtën e abortit dhe të drejtën e homoseksualëve për t’u martuar. Dean Roper është një i ashtu-quajtur “amerikan blu.”

”Presidenti Bush ka qenë në gjendje të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë në mënyrë të moralshme dhe me virtyt. Mendoj se ky është roli parësor i një presidenti,” thotë Blake Kovaç, një 27-vjeçar që sapo ka përfunduar studimet pas universitare.

Blake është nga një zonë konservatore e shtetit Michigan dhe ka pikëpamje konservatore. Ai mbështet politikat për uljen e taksave dhe vlerëson qëndrimin e presidentit në luftën kundër terrorizmit. Blake është një i ashtu-quajtur “amerikan i kuq.”

Blake Kovaç dhe Dean Roper përfaqësojnë kahet opozitare të politikës ameriakne të shtekullit të 21. Kjo nuk është hera e parë që amerikanët ndahen në dy kampe të ndryshme politike. Një gjë e tillë ndodhi edhe gjatë Luftës Civile lidhur me skllavërinë, po ashtu edhe në vitet ’60 kur Lufta në Vietnam krijoi një hendek të madh ndërmjet përkrahësve dhe kundërshtarëve të luftës.

Analistët politikë, si Patrik Basham i Institutit Cato, thonë se hendeku bëhet edhe më i dukshëm nga mbulimi i vazhdueshëm në shtyp. Zoti Basham shton se dallimet kanë dy parti kryesore politike që mbështesin secilën ideologji:

”Këto dallime duken më të mëdha dhe më domethënëse, pasi për herë të parë në histori, dallimi ideologjik përputhet me dallimet partiake. Partia Republikane është tepër koservatore, ndërkohë që Partia Demokrate është tejet liberale. Pra amerikanët liberalë dhe ata konservatorë kanë parti që u bëjnë jehonë pikëpamjeve të tyre.”

Por çfarë vendi kanë aktualiasht në politikën amerikane elementët e moderuar? Hans Noel është një studiues i shkencave politike në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos. Ai thotë se ata që janë në qendër të spektrit politik kanë shumë më fuqi se sa mendojnë, pasi përfaqësojnë votuesit e lëkundur, të cilët mund t’u japin tonin zgjedhjeve:

”Ata janë personat që vendosin se kush do të zgjidhet president, apo kush do të zgjidhet në Kongres. Ata nuk përcaktojnë programin e punës, por ata zgjedhin njerëzit që përcaktojnë programin e punës.”

Sipas zotit Noel, votuesit e lëkundur përfaqësojnë nga 10 deri 20 për qind të zgjedhësve. Ata janë tipikisht më pak të angazhuar në politikë dhe pa ndonjë preferencë partiake dhe i marrin vendimet bazuar në pikëpamjet personale. Pra varet sesi votuesit e lëkundur e gjykojnë mbarëvajtjen e luftës në Irak dhe gjendjen e ekonomisë.

Analistët politikë pohojnë se hendeku aktual në politikën amerikane është i rëndësishëm, por siç thekson zoti Basham i Institutit Cato, këto pikëpamje opozitare nuk rrezikojnë të përçajnë vendin:

”Deri në një farë mase, ky hendek pasqyron politikat e mirëqënies, pasi një shoqëri në mirëqënie ka mundësi të ngrejë për diskutim çështje që lidhen me virtytet, gjë që nuk është e mundur në një shoqëri më të varfër.”

Siç thekson zoti Basham, debati i zjarrtë filozofik dhe politik në Shtetet e Bashkuara është shenjë e mirë e një demokracie tëë gjallë, ku shprehen hapur ide opozitare.

XS
SM
MD
LG