Lidhje

Forcat amerikane marrin nën kontroll zyrën e guvernatorit në Naxhaf - 2004-05-07


Forcat amerikane morën nën kontroll zyrën e guvernatorit në Naxhaf, ndërkohë që nga përleshjet në periferi të qytetit të shenjtë humbën jetën 41 milicë të klerikut radikal shiit, Maqtada al-Sadr.

Tanket amerikane hynë në një zonë të qytetit për herë të parë që nga fillimi i përlesshjeve para një muaji me përkrahës të armatosur të klerikut të kërkuar al-Sadr, që fshihet në këtë qytet.

Luftimet u intensifikuan, ndërkohë që administratori civil amerikan për Irakun, Paul Bremer, caktoi një guvernator të ri për rajonin e Naxhafit.

Ndërkohë në veri të Naxhafit, në qytetin e shenjtë të Karbalës, trupat amerikane shkëmbyen të shtëna armësh me milicinë e klerikut al-Sadr. Zyrtarë të spitalit thanë se një milic u vra dhe 9 irakianë u plagosën.

Po dje në Bagdat, nga një shpërthim vetëvrasës me makinë bombë para një kompleksi ku ka selinë koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, u vranë të paktën pesë irakianë, një ushtar amerikan dhe autori i sulmit. Të paktën 23 persona të tjerë u plagosën, disa prej tyre rëndë. Një grup, që ka lidhje me al-Kaidën, mori përgjegjësinë për sulmin.

Mes vazhdimit të dhunës në Irak, i dërguari i posaçëm i OKB-së, Lakhdar Brahimi u kthye në Bagdat për të punuar për krijimin e një qeverie të përkohshme irakiane së cilës do t’i kalohet sovraniteti i kufizuar më 30 qershor.

Në një zhvillim tjetër, televizioni Al-Arabija me seli në Dubai, transmetoi një video kasetë të një amerikani të rrëmbyer. Në video personi thote se është inxhinjer amerikan i punësuar nga Pentagoni dhe kërkon që grupet myslimane të ndërhyjnë për lirimin e tij. Departamenti amerikan i shtetit njoftoi se po përpiqet të gjejë vend-ndodhjen e personit të paraqitur në video.

//ze//

XS
SM
MD
LG