Lidhje

Çeçeni: vritet Presidenti Ahmed Kadirov - 2004-05-09


Një shpërthim i fuqishëm në stadiumin Dinamo të kryqytetit çeçen Grozni shkaktoi vdekjen e presidentit të republikës separatiste, Akhmad Kadirov, dhe të paktën të 6 personave të tjerë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi vdekjen e presidentit Kadirov, të cilin ai e cilësoi si hero, që punoi shumë për popullin çeçen. Kryeministri çeçen, Sergei Abramove, u emërua në postin e presidentit të përkohshëm.

Deri tani, askush nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin, i cili plagosi më shumë se 50 veta. Por presidenti Putin fajësoi për sulmin persona, që ai i cilësoi si terroristë. Me këtë term ai ka mundësi t’u referohet separatistëve myslimanë, që e kishin akuzuar zotin Kadirov për tradhëti dhe kishin bërë më parë disa përpjekje për ta vrarë.

5 persona të dyshuar u arrestuan brënda një ore pas shpërthimit, i cili ndodhi gjatë festimeve me rastin e Ditës së Fitores, që shënon mposhtjen e Gjermanisë Naziste nga ish Bashkimi Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.

Zyrtarë të sigurimit thonë se ka mundësi që bomba të ishte fshehur në çimenton e stadiumit të sapo rindërtuar, poshtë karikeve ku po rrinin zyrtarët. Një mine e pashpërthyer u gjet pranë stadiumit.

Shtëpia e Bardhë dënoi sulmin, duke thënë se asgjë nuk mund të justifikojë përdorimin e terrorizmit. Sulmi u dënua edhe nga Bashkimi Evropian.

//ze//

XS
SM
MD
LG