Lidhje

Përfaqësuesja e OSBE-së komenton për trafikun njerëzor - 2004-05-17


Ditët e fundit në shtypin shqiptar ka patur artikuj të shumtë mbi problemin e trafikut të organeve, veçanërisht të shfrytëzimit të të miturve për këtë qëllim. Ne iu drejtuam me këtë pyetje përfaqësueses së posaçme të OSBE-së për trafikun njerëzor Helga Konrad. E intervistuar me telefon nga Viena, zonja Konrad tha se ajo nuk ka të dhëna të mjaftueshme për pohuar apo mohuar trafikun e fëmijve për qëllim transplatim organesh.

Ky është një trafik që ne ende nuk dimë sa duhet dhe duhet të shtojmë hetimet për të gjetur shembuj konkretë, tha zonja Konrad.

”Ne nuk kemi të dhëna rreth trafikut të organeve. Duhet të bëjmë hetime të mëtejshme për këtë trafik se si funksionon, jo vetëm me fëmijë por edhe me të rritur, të cilët shpesh shesin organet për qëllime financiare për të mbijetuar. ”

Helga Konrad, u caktua në postin e përfaqësueses së posaçme të OSBE-së për trafikun njerëzor vetëm para disa ditësh. Ndonëse është vështirë të sigurosh shifra të sakta për trafikun njerëzor, thotë ajo, kohët e fundit, trafiku i fëmijve ka ardhur në rritje. Sipas vlerësimeve të UNICEF-it, 30 përqind e gjithë qenieve njerëzore të trafikuara nga Evropa Juglindore janë fëmijë të mitur, të moshës nën 18 vjeçare. Shqiëria thotë, zonja Konrad vazhdon të jetë një vend origjine, një vend tranzit dhe disa herë, edhe vend destinacion. Ajo i bëri thirrje qeverisë shqiptare të jetë më e qartë në luftën kundër trafikut.

”Ajo që presim ne nga Shqipëria është të jetë e qartë se si do ta luftojë trafikun njerëzor, të ndëshkojë trafikantët, të bashkëpunojë me vendet e tjera për të gjetur zgjidhje afat-gjata. Por Shqipëria shton ajo, nuk mund ta luftojë e vetme trafikun njerëzor.”

Lufta kundër trafikut njerëzor thotë zyrtarja e lartë e OSBE-së, është e lidhur ngushtë me luftën kundër korrupsionit.

”Korrupsionit i duhet dhënë fund. Shpesh ne e dimë se zyrtarët bashkëpunojnë me kriminelët dhe ndërmjetësit e tyre. Prandaj ne presim veçanërisht nga qeveria që të jetë të qartë në luftën kundër trafikut njerëzor, gjë që do të thotë se duhen luftuar kriminelët dhe nuk duhet bashkëpunuar me ta.” Zonja Konrad thekson se trafiku njerëzor është një zinxhir që duhet luftuar paralelisht si në vendet e origjinës, në ato tranzit dhe në vendet që shërbejnë si destinacion. Kjo do të thotë që të krijohen mekanizma bashkëpunimi përtej kufijve, mekanizma në nivel politike, të organeve të rendit, të sistemit të drejtësisë, dhe po ashtu edhe në nivel të organizatave jo qeveritare që u ofrojnë ndihmë viktimave.

XS
SM
MD
LG