Lidhje

Intervistë me Prof. Alan Kassof mbi Konferencën e Lucernës - 2004-05-23


Në Lucernë të Zvicrës përfundoi një konferencë dyditëshe me titull ”Shqiptarët dhe fqinjët e tyre”, ku morën pjesë zyrtarë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të partive politike nga vendet e Ballkanit. Eshtë hera e katërt që organizohet një konferencë e tillë në përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Ballkan, ku dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit është natyrisht një ndër çështjet më delikate. Kolegu ynë Ilir Ikonomi, intervistoi me telefon njërin nga organizatorët e konferencës, Alan Kassof, drejtor i Projektit për Marrëdhëniet Etnike.

Zoti Kassof thotë se pjesmarrësit në konferencë u shprehën se ndoshta ka ardhur koha që bisedimet Prishtinë-Beograd për çështjet teknike të rifillojnë. Por, ai shton se një dialog i nivelit të lartë midis Beogradit dhe Prishtinës është ende larg.

Profesori mendon se pikërisht një dialog i tillë nevojitet nëse do të propozohej një zgjidhje që mund të ishte e pranueshme për të dyja palët. Por qendrimet e të palëve për këtë çështje janë ende shumë të ngurta, thotë ai.

Në Beograd, në fuqi është një qeveri e re e cila sapo ka shpallur një politikë të re për Kosovën dhe atje do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale gjë që i ndërlikon më shumë gjërat.

Në Kosovë, thotë profesori, ekziston një farë frike tek udhëheqja se duke biseduar drejtpërdrejt në nivele të larta me udhëheqjen serbe, kjo do të krijonte përshtypjen sikur po i jepet legjitimitet rolit të Beogradit në të ardhmen e Kosovës. Prandaj të dyja palët kanë prirjen për t’u kthyer në pozitat e tyre të njohura.

Profesor Kassof mendon se Prishtina dhe Beogradi duhet të vendosin vetë se çfarë kompromisesh mund të bëjnë. Ai thotë se ka mundësi që zgjidhja përfundimtare t’u imponohet atyre nga jashtë, por sipas tij, çdo gjë që do të vinte nga komuniteti ndërkombëtar dhe që nuk do të ishte diskutuar më parë nga vetë palët, do të ishte problematike.

Ai thotë se do të ishte shumë më mirë që vetë Prishtina dhe Beogradi të shpreheshin se çfarë zgjidhje konkrete do të dëshironin. Që palët të ulen në tryezë dhe t’i bisedojnë këto, kjo është e vështirë për disa arësye. Njëra nga arësyet, thotë profesori, është se serbët asnjëherë nuk e kanë pranuar plotësisht traumën e madhe të krijuar në vitin 1999 nga dëbimi në masë i shqiptarëve. Në një farë mënyre Beogradi vazhdon ta shikojë këtë gjë si një traumë jo shumë të madhe. Nga pala shqiptare, ekziston një ide e përgjithshme se pavarësia do të zgjidhë çdo gjë dhe se dhuna e 17 marsit u shkaktua nga fakti që institucioneve vendore nuk u janë dhënë sa duhet kompetenca. Edhe ky nuk është një argument bindës. Pra, secila palë vazhdon të mos tregohet e gatshme për të marrë parasysh psikologjinë e palës tjetër.

Në konferencë, serbët shtruan edhe çështjen delikate të krijimit të rajoneve autonome për serbët në Kosovë, e cila u hodh poshtë plotësisht nga shqiptarët.

Profesor Kassof thotë se kishte vënë re se njëra nga arësyet që projekti u hodh poshtë nga shqiptarët ishte se ai ishte krijuar në Beograd. Natyrisht, shqiptarët mund të kenë arësye për ta hedhur poshtë këtë ide por fakti i mësipërm, thotë profesori, tregon se palët po evitojnë diskutimet që kanë të bëjnë me thelbin e gjërave.

Megjithatë, thotë zoti Kassof, në Ballkan ka patur edhe zhvillime pozitive në marrëdhëniet ndëretnike, si për shembull në Mal të Zi dhe Maqedoni.

Në Mal të Zi, krijimi i një fakulteti të gjuhës shqipe në Universitet dhe masa të tjera në favor të shqiptarëve janë një hap shumë i madh përpara sepse ato krijojnë një klimë të qëllimit të përbashkët midis shumicës malazeze dhe pakicës shqiptare.

Në Maqedoni, marrëveshja e Ohrit ka çuar në marrëdhënie shumë të efektëshme midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Komunikimi midis tyre është përmirësuar dhe ky koalicion ndëretnik po fillon të duket se mund të kthehet në një koalicioni të vërtetë politik, diçka që është e jashtëzakonshme.

Natyrisht, thotë zoti Kassof, këto zhvillime mund të mos ndikojnë drejtpërdrejt mbi Kosovën por ato janë shumë të rëndësishme për klimën e përgjithshme në rajon.//ii

XS
SM
MD
LG