Lidhje

SHBA dhe Britania propozojnë në OKB një rezolutë për Irakun - 2004-05-28


Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë propozuar një rezolutë të Kombeve të Bashkuara për të mbështetur krijimin e një qeverie të përkohshme sovrane në Irak. Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell tha se projekt-rezoluta parashikon vazhdimin e pranisë së forcës shumëkombëshe në Irak në partneritet me qeverinë e përkohshme irakiane:

“Rezoluta pohon se ende ekziston nevoja për një forcë shumëkombëshe për të mbrojtur popullin irakian, ndërkohë që ky vend po krijon ushtrinë e tij, për të mundësuar sigurinë në vend,” tha sekretari Powell.

Pasi të marrë pushtetin qeveria e përkohshme, irakianët mund të vazhdojnë punën në përgatitje për zgjedhjen e një asambleje kombëtare, formulimin dhe ratifikimin e një kushtetute të re dhe mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare në fund të vitit 2005, tha zoti Powell:

“Kemi një rrugë të qartë përpara. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në koalicion do të ndjekin këtë rrugë përkrah popullit irakian, ashtu siç shpresojmë të bëjnë edhe partnerë të rinj të koalicionit ndërkombëtar. Të gjitha vendet janë të mirëpritura. Komuniteti ndërkombëtar donte miratimin e një rezolute të re të Kombeve të Bashkuara. Ata donin që të kthehej sovraniteti në duart e irakianëve. Dhe kjo do të bëhet realitet,” tha sekretari Powell.

Pavarësisht nga trazirat dhe tragjeditë, “populli irakian e ka provuar trimërinë e tij,” tha zoti Powell dhe “kjo trimëri shihet në përparimin e arritur gjatë vitit të fundit.”

“Lajmet e mira nuk i dëgjojmë shpesh, si zgjedhjen e qeverive të reja për fshatrat dhe bashkitë, ndërtimin e shkollave dhe klinikave të reja, gjallërimin e ekonomisë private me ritme të shpejta, shtypin e lirë dhe sistemin gjyqësor që punon për popullin,” tha Sekretari Powell.

Irakianët kanë bërë sakrifica. “Këtu nuk përfshihen vetëm udhëheqës si Akila al-Hashima dhe presidenti i Këshillit Qeverisës Irakian Izedin Salim, të cilët dhanë jetën e tyre,” tha Sekretari i Shtetit Powell. “Këtu përfshihen edhe heronjtë e thjeshtë që kanë ngritur zërin për të drejtat dhe liritë e tyre, ashtu si populli i Kerbalës, i cili refuzoi të frikësohej nga bandat e Moktada al-Sadrit, të ashtu-quajtura milicia Mahdi.”

Ata dhe shumë irakianët të tjerë po luftojnë për të krijuar një vend demokratik. Me ndihmën e Kombeve të Bashkuara dhe koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ata do të arrijnë sukses. //ad//

XS
SM
MD
LG