Lidhje

BE kërkon përshpejtimin e reformave në vendet ballkanike - 2004-05-28


Ballkani perëndimor përbën sfidën e re të Bashkimit Evropian. Ky ishte një ndër përfundimet e takimit të nivelit të lartë të vendeve të Europës Qendrore që u mbajt për dy ditë rresht në Rumani. Në këtë takim delegacioni nga Shqipëria kryesohej nga presidenti Alfred Moisiu. Presidenti Moisiu kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë mes BE-së dhe vendeve të rajonit si dhe përfshirjen e Kosovës në këtë proces.

Me zgjerimin e tij me anëtarët e rinj nga Evropa Qendrore dhe Lindore, Bashkimi Evropian do të hedhë vështrimin drejt Ballkanit perëndimor, i cili tashmë nga mbetur e vetmja zonë evropiane jashtë tij. Në përfundim të takimit dy ditor të vendeve të Evropës Qëndrore që u mbajt në Mamaja të Rumanisë, u deklarua se vëmendja do të përqëndrohet pikërisht drejt këtij rajoni, integrimi i të cilit sic u tha përbën një sfidë për të ardhmen. Takimi megjithatë duhet thënë se nuk solli ndonjë të re të vecantë, përtej deklarimeve të njohura tashmë që përmblidhen në atë se vendet ballkanike duhet të përshpejtojnë ritmet e reformave dhe proceseve integruese.

Por duket qartë se shtete e rajonit i druhen uljes së vëmendjes ndaj tyre, tani që Evropa do të duhet të përqëndrohet te anëtarët e saj të rinj, të cilët megjithëse hynë në këtë familje kanë ende dallime të dukshme zhvillimi me pjesën tjetër të vendeve perëndimore.

Këtë shqetësim në një farë mënyre e shprehu që dje presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu duke thënë se shpresonte që vendet e Ballkanit perëndimor të mos liheshin në harresë. Edhe në ndërhyrjen e sotme ai deklaroi se një bashkëpunim më i afërt e më efektiv mes vendeve të rajonit por dhe të BE me rajonin është imperative për të ngushtuar hendekun që ekziston me pjesën e integruar të Evropës.

Drejtuesi i Paktit të Stabilitetit Erhard Busek ka kërkuar që shpërndarja e financimeve dhe investimeve duhet të jetë e tillë që të ndihmojë të gjitha vendet e rajonit.

Por pjesën kryesore të fjalës së tij, Presidenti Moisiu ia kushtoi Kosovës dhe të ardhmes së saj në Evropë. Kosova, tha ai, nuk mund të mbetet e izoluar. Integrimi dhe përfshirja e saj në nismat rajonale dhe proceset evropiane do të ndihmonte ndjeshëm jo vetëm zhvillimet demokratike atje, por edhe për paqen e stabilitetin e rajonit.

Duke pranuar vështirëitë dhe problemet me të cilat po ndeshet Kosova, presidenti Moisiu deklaroi se është e drejtë që udhëheqësve shqiptarë t'u kërkohet të reagojnë ndaj dhunës, por ata, saktësoi ai duhet të kenë instrumentat e duhur për ta bërë këtë.

Për problemet në Kosovë kreu i shtetit shqiptar ka diskutuar dje dhe me presidentin e Serbisë e Mali i Zi, Svetozar Marovic të cilit i ka shprehur rëndësinë e rifillimit sa më shpejt të dialogut Prishtinë Beograd. Ndërsa me presidntin maqedonas Branko Cervenkovski, presidenti Moisiu ka ritheksuar domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit.

XS
SM
MD
LG