Lidhje

Presidenti Bush takohet me presidentin e përkohshëm irakian, Ghazi al-Yawar - 2004-06-09


Presidenti Bush zhvilloi takimin e tij të parë me presidentin e përkohshëm irakian, Ghazi al-Yawar, i cili tha se populli irakian është i angazhuar për demokraci.

Dy udhëheqësit u takuan dje në takimin e nivelit të lartë të grupit të tetë vendeve më të industrializuara në Sea Island të shtetit jugor amerikan Georgia.

Zoti Bush e cilësoi takimin si një ditë krenare sepse ai nuk kishte menduar kurrë se do të ulej me udhëheqësin e një Iraku të lirë. Zoti al-Yawar falenderoi ata, që ai i quajti burra dhe gra të guximshme amerikane për sakrificat që bënë për të çliruar Irakun.

Po dje, udhëheqësit e tetë vendeve bënë një deklaratë, duke shprehur shqetësim lidhur me programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut. Udhëheqësit miratuan gjithashtu një nismë për reforma politike dhe ekonomike në Lindjen e Mesme.

Presidenti Bush bëri thirrje për një rol më të madh të NATO-s në Irak për të ndihmuar në stabilizimin e vendit. Presidenti Bush e bëri thirrjen e tij pas bisedimeve me kryeministrin britanik Tony Blair, në prag të hapjes zyrtare të takimit të nivelit të lartë të udhëheqësve të 8 vendeve më të industrializuara. Udhëheqësit në takimin që filloi të mërkurën, po ndjehen optimistë në lidhje me prespektivat e rritjes së ekonomisë botërore dhe rënien e çmimeve të naftës.

Dhjetë udhëheqës morën pjesë në seancën e hapjes, e cila filloi me një vështrim mbi gjendjen e ekonomisë botërore. Presidenti i komisionit Evropian dhe kryetari i tanishëm i Bashkimit Evropian, kryeministri irlandez, ishte i pranishëm në mbledhjen e udhëheqësve të Grupit të Tetëshes nga Britania, Germania, Italia, Franca, Rusia, Japonia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Bush, mikpritësi i takimit, u dha diskutimeve një karakter mjaft jozyrtar. Në takim marrin pjesë vetëm udhëheqësit dhe seanca e parë përqendrohet vetëm tek ekonomia dhe tregu.

Është pothuajse e sigurt që pjesëmarrësit e takimit po theksojnë përmirësimin e gjendjes së ekonomisë globale.

//ze//

XS
SM
MD
LG