Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në Serbi, provë për të ardhmen - 2004-06-10


Serbët do të shkojnë të dielën në kutitë e votimit për të zgjedhur presidentin. Kjo është hera e katërt që Serbia përpiqet të zgjedhë udhëheqësin e saj. Tre zgjedhjet e mëparshme u shpallën të pavlefshme për shkak të pjesmarrjes së ulët në votime.

Zgjedhjet janë për presidentin e Republikës Serbe, më e madhja e dy republikave që përbëjnë Unionin Serbi-Mal i Zi. Serbia nuk ka president që prej dy vjetësh, kur Milan Milutinoviçi iu dorëzua Gjykatës së Hagës. Ai ishte aleat i ngushtë i ish presidentit jugosllav Slobodan Milosevic – i cili gjithashtu ndodhet në Gjykatën e Hagës për krime lufte.

Rezultatet e tre përpjekjeve të para të Serbisë për zgjedhjen e presidentit ishin të pavlefshme sepse ligji kërkon që në zgjedhje të marrin pjesë të paktën 0 përqind e njerëzve me të drejtë vote. Janusz Bugajski është drejtor i Projektit për Evropën Lindore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington.

"Atyre iu desh të ndryshonin rregullat në mënyrë që të lejonin që në zgjdhje të marrin pjesë një numër i mjaftë votuesish, pra që zgjedhjet të jenë legjitime. Kështu që duket se më në fund ata do ta zgjedhin presidentin."

Daniel Serwer – Drejtor i Nismës Ballkanike në Institutin Amerikan të Paqes, shpjegon se përse këto zgjedhje janë të rëndësishme.

"Ato janë veçanërisht të rëndësishme në këtë periudhë sepse në Serbi, konfiguracioni politik është tepër i pazakontë. Atje ka një qeveri të pakicës të mbështetur nga partia radikale, e cila në Perëndim nuk shihet si një parti me orientim demokratik. Pra, fakti se kush do të zgjidhet president do të sjellë ndryshime në peshën e politikës serbe, në një drejtim më shumë apo më pak demokratik”, thotë zoti Serwer.

Anketat tregojnë se nacionalisti Tomislav Nikolic – një tjetër aleat i Miloseviçit, qendron në krye të një numri kandidatësh. Kandidati i Partisë Demokratike -- Boris Tadic vjen në vend të dytë, i ndjekur nga presidenti në detyrë i Serbisë -- Dragan Marsiçanin – i një tjetre parti me orientim demokratik të Serbisë. Pavarësisht se si do të jetë pjesmarrja, për të fituar, një kandidat duhet të marrë më tepër se 50 përqind të votave. Pra duket se do të ketë edhe një raund të dytë.

Daniel Serwer thotë se komuniteti ndërkombëtar do t’i ndjekë me vemendje rezultatet.

"Ata shohin një ndryshim të madh dhe thelbësor midis Nikoliçit dhe Tadiçit. Për ta, njëri përfaqëson të kaluarën, përfaqëson një ideologji dhe metoda të dështuara ndërsa tjetri përfaqëson një vizion më tepër evropian të së ardhmes dhe ku Serbia është e angazhuar të paktën në Nismën Partneritet për Paqe nëse jo si anëtare e NATO-s."

Dr. Serwer shton se nëse fiton Nikoliçi, kjo ka mundësi të frenojë investimet e huaja në Serbi. Me këtë pikpamje është dakord edhe analisti Janusz Bugajski.

"Serbia ka bërë një farë përparimi në reformat ekonomike dhe kohët e fundit edhe në reformat ushtarake, por ende ka përpara një rrugë të gjatë përsa i përket luftës kundër korrupsionit, në çështjet e privatizimit, në thithjen e investimeve të huaja, në sistemin juridik dhe në shërbimet e zbulimit. Pra ata kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë që të arrijnë nivelin e kërkuar për shembull që t’u përgjigjen standardeve të Natos,” thotë zoti Bugajski.

Ndërsa Dr. Serwer thotë se ndonëse zgjedhjet presidenciale të Serbisë tani për tani mund të mos jenë aq të rëndësishme për Perëndimin, ato do të kenë rëndësi për serpët.

"Ato do të kenë rëndësi për Serbinë, pra fakti nëse zgjidhet dikush që vërtet kërkon ecje të shpejtë drejt Bashkimit Evropia, që ka braktisur ideologjitë dhe metodat e dështuara të së kaluarës apo një njeri që ende mbështet personat e akuzuar për krime lufte të cilët janë në Hagë," thotë zoti Serwer.

Ai thotë se Serbia nuk do të ketë sukses në rajon dhe në botë nëse qytetarët e saj votojnë për variantin e dytë dhe zgjedhin zotin Nikoliç.

XS
SM
MD
LG