Lidhje

Kryengritësit në Irak vrasin 7 ushtarë të Gardës Kombëtare - 2004-06-30


Zyrtarët amerikanë thonë se kryengritësit sulmuan një pikë policore kontrolli në jug të Bagdatit duke vrarë 7 ushtarë të Gardës Kombëtare Irakiane.

Po ashtu sot, trupat që po kërkonin për armë të paligjshme zbuluan një objekt për prodhimin e bombave në jug të Bagdatit.

Zyrtarët amerikanë thonë se ushtarët kapën 4 makina që ishin përshtatur për t’u përdorur për transportimin e lëndëve shpërthyese dhe morrën nën arrest 50 persona.

Ushtria amerikane beson se disa prej të ndaluarve janë anëtarë të një grupi që është përgjegjës për bombat e vëna anës rrugës.

Muajin e kaluar në Irak ka patur mbi 20 shpërthime makinash-bombë.

Sot në veri të Bagdatit, dhjetra përkrahës të ish presidentit Sadam Husein demonstruan kundër gjykimit të tij.

Iraku nuk e pranoi ofertën e Jordanisë që do të bëhej vendi i parë për të dërguar trupa në Irak.

Minsitri i Jashtëm i Irakut tha sot se kryerja e operacioneve paqeruajtëse nga vendet fqinje është një çështje e ndjeshme. Por ai shtoi se këto vende mund të mbështesin operacionet e OKB-së.

Mbreti Abdullah i Jordanisë e bëri ofertën për trupa dje. Jemeni po ashtu ka propozuar të dërgojë trupa në Irak në se i kërkohet një gjë e tillë, por vetëm pas largimit të trupave amerikane dhe vetëm në se trupat jemenase vendosen nën komandën e OKB-së.

Ndërkohë mbreti i Bahrenit Hamad, tha sot se forcat detare të vendit të tij janë të gatshme të rifillojnë ruajtjen e ujërave territoriale të Irakut në se qeveria në Bagdat ia kërkon këtë. //rd//

XS
SM
MD
LG