Lidhje

John Kerry pranoi zyrtarisht emërimin e partisë si kandidat për president - 2004-07-29


Senatori John Kerry pranoi zyrtarisht kandidaturën e partisë demokrate për president duke i quajtur zgjedhjet e ardhmëshme më të rëndësishmet ndonjëherë. Fjalimin senatori e mbajti mbrëmë në natën e fundit të kuvendit kombëtar demokrat.

Delegatët në kuvendin e Bostonit shpërthyen në duartrokitje ndërsa senatori Kerry hyri në sallë për të dhënë atë që shumë analistë politikë e quajtën fjalimin më të rëndësishëm të jetës së tij.

Senatori nga Massachusetts shumë shpejt i cilësoi zgjedhjet presidenciale të nëntorit si jashtëzakonisht të rëndësishme.

"Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të kohës. Bëhet fjalë për interesa madhore. Ne jemi një komb në luftë, në luftë kundër terrorizmit kundër një armiku si asnjë tjetër që kemi njohur më parë. Këtu në vend, pagat po shkurtohen, kostoja për kujdesin shëndetësor po rritet dhe klasa e mesme po zvogëlohet."

Para se të fillonte ky kuvend, këshilltarët e zotit Kerry thanë se qëllimet e tyre ishin të riparaqisnin kandidatin e tyre tek votuesit amerikanë ndërkohë që theksonin përvojën e tij ushtarake dhe në sigurimin kombëtar si heroin e luftës në Vietnam.

Në fjalimin e tij kandidati demokrat tha se pas shumë vite pune për çështjet e sigurimit kombëtar si senator, ai është gati të bëhet komandant i forcave të armatosura.

“Të jeni të sigurt: Unë nuk do të hezitojë të përdorë forcën kur të jetë e nevojshme. Çdo sulm do të marrë një përgjigje të fortë dhe të vendosur. Unë nuk do ti japë asnjë vendi apo institucioni ndërkombëtar veton për sigurimin tonë kombëtar. Dhe unë do të ndërtojë një Amerikë më të fortë ushtarakisht”.

Zoti Kerry tha se si president ai do të përmirësojë sistemin e zbulimit dhe do ta mbrojë atë nga ndikimi politik.

Senatori tha se ai do të zbatojë menjëherë rekomandimet e fundit të komisionit që hetoi sulmet e 11 shtatorit.

"Unë menjëherë do të reformoj agjencitë e zbulimit, në mënyrë që politika të drejtohet nga faktet, dhe faktet të mos shtrembërohen asnjëherë nga politika. Dhe si president unë do të kthejë traditën shekullore të këtij vendi: Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk shkojnë në luftë sepse duan, ne shkojmë në luftë vetëm kur një hap i tillë është i domosdoshëm."

Senatori Kerry më pas i bëri një thirrje të hapur kundërshtarit të tij në zgjedhjet e përgjithshme, presidentit Bush.

"Ja drejtojë këto fjalë drejtpërdrejtë presidentit George Bush: Në javët përpara, le të tregohemi optimisht dhe jo vetëm kundërshtar. Le të ndërtojmë bashkim në familjen amerikane dhe jo ndarje të zemëruara. Le të nderojmë larminë racore të këtij vendi, të respektojmë njëri tjetrin dhe të mos keqpërdorim për qëllime politike dokumentin më të çmuar në historinë amerikane, kushtetutën e Shteteve të Bashkuara."

Zoti Kerry tha se demokratët janë optimist dhe njerëz që japin rezultuate.

Ai radhiti fitoret ekonomike të arritura gjatë tetë vjetëve të administratës së presidentit Klinton dhe tha se ai përparim mund të arrihet përsëri.

"Për të gjithë ata që kanë besim, ditët më të mira i kemi përpara, për të gjithë ju me besim të madh në popullin amerikan. Unë pranojë emërimin tuaj si kandidat për president të Shteteve të Bashkuara."

Kuvendi përfundoi me 100 mijë balona të kuqe, të bardha dhe blu të hedhura nga tavani dhe delegatët demokratë i dhanë fund kuvendit të tyre të bashkimit, siç është cilësuar ai.

Demokratët shpresojnë që katër ditët e kuvendit do të shtojnë mbështetjen për zotin Kerry në anketat e opinionit publik. Republikanët do të presin të njëjtën gjë pas emërimit të presidentit Bush nga kuvendi i partisë së tij në fund të muajit të ardhshëm në New York.

Analistët politikë thonë se me që elektoratit është pothuajse të ndarë përgjysëm dhe ka një numër relativisht të vogël votuesish të pavendosur, nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh në anketime.

Senatori Kerry dhe kandidati për nënpresident John Edwards do të kalojnë dy javët e ardhshme duke bërë fushatë në mbarë Amerikën, me vizita në shtete që konsiderohen të rëndësishëm për fitoren e tyre në zgjedhjet e nëntorit.

//ze//

XS
SM
MD
LG