Lidhje

Shtatë medalje të arta në ditën e 14-të të Lojrave Olimpike - 2004-08-28


Stadiumi kryesor olimpik në Athinë ishte qendra e garave të djeshme, ku u fituan shtatë medalje të arta. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Stevenson, u hedh një vështrim disa prej garave të ditës së 14-të lojrave të Athinës.

Kina korri fitore të papritura në atletikë. Liu Gjiang theu rekordin olimpik në garën 110 metra me pengase për meshkuj duke siguruar edhe medaljen e arit, dhe Hsing Huina fitoi garën 10 mijë metra për femra.

Atletet ruse fituan tri medaljet në garën e kërcimit së gjati. Medaljen e artë e mori Tatjana Lebedeva.

Amerikani Timothi Mek zuri vendin e parë në kërcimin me shkop, i pasuar nga bashkëatdhetari i tij Tobi Stivenson dhe italiani Xhuzepe Gibilisko.

Kubanja Osleidi Menendez fitoi në hedhjen e shtizës, duke thyer edhe rekordin olimpik. Medaljen e bronzit në këtë garë e fitoi Mirela Manjani e Greqisë.

Robert Korzionovski i Polonisë doli i pari në ecjen sportive 50 kilometra.

Në kanotazh, Eirik Veras e Norvegjisë fitoi garën individuale me kajake. Në dyshe medaljen e arit e morën suedezet. Ekipi i katërshes gjermane fitoi medaljen e arit, i pasuar nga Hungari dhe Ukraina.

David Kali i Spanjës fitoi garën individuale me kajake në një mijë metra. Po në kajake, dyshja gjermane Kristian Gille dhe Tomaz Uilenzek fitoi medaljen e arit, e pasuar nga dyshja ruse dhe ajo hungareze. Vendin e parë në katërshen për meshkuj e zuri Hungaria, e pasuar nga Gjermania dhe Sllovakia.

Në hokej mbi bar për meshkuj, Australia mundi në finale ekipin holandez me rezultatin 2-1. Kampionia botërore, Gjermania, mundi Spanjën 4 me 3, duke siguruar medaljen e bronzit.

Në pesëgarshin modern për femra, që përfshin qitjen, skermën, notin, kalorësinë dhe vrapimin, hungarezja Zhuzhana Voros fitoi medaljen e arit.

Gun-Rita Dahle e Norvegjisë zuri vendin e parë në garën malore të çiklizmit për femra, e pasuar nga Marie-Helene Premont e Kanadasë dhe Sabine Spitz e Gjermanisë.

Rusia mbrojti me sukses titullin e kampiones në garën e notit të sinkronizuar për femra. Medaljen e argjendit e mori Japonia e pasuar nga Shtetet e Bashkuara me medaljen e bronzit.

Ekipi italian i futbollit i mohoi Irakut medaljen e parë olimpike në 44 vjet, duke fituar me rezultatin 1-0 ndaj futbollistësve irakianë.

Argjentina mundi në gjysmë finale ekipin amerikan të basketbollit 89 me 81. Ky është ekipi i parë amerikan i përbërë nga lojtarë profesionistë që nuk fiton medaljen e artë në lojrat olimpike. Ekipi amerikan do të ndeshet për medaljen e bronzit me Lituanin, e cila pësoi humbjen e parë në këto lojra në gjysmëfinalen me Italinë, e cila do të përballet në finale me ekipin argjentinas.

Ekipi amerikan i basketbollit për femra mundi Rusinë 66 me 62 dhe do të ndeshet në finale me Australinë, e cila mundi Brazilin me rezultatin 88-75.

Finalistët në henboll për meshkuj janë Kroacia, e cila mundi Hungarinë 33 me 31 dhe dhe Gjermania që fitoi ndaj Rusisë me rezultatin 21-15. Në gjysmëfinale të hendbollit për femra, Koreja e Jugut mundi Francën dhe Danimarka mundi Ukrainën.

Në volejboll, ndeshja për medaljen e arit do të zhvillohet midis Italisë dhe Brazilit, kurse për medaljen e bronzit do të konkurojnë Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.

Pas ditës së 14-të të lojrave, Shtetet e Bashkuara kryesojnë tabelën e medaljeve me 90, 29 prej tyre të arta. Në vend të dytë radhitet Kina me 57 medalje, 27 të arta, e pasuar nga Rusia dhe Australia me nga 17 medalje ari, por rusët kanë fituar gjithsej 68, kurse sportistët australianë 44.

XS
SM
MD
LG