Lidhje

Shqipëria veriore:  109 familje  të ngujuara për shkak të frikës nga gjakmarrja apo hakmarrja - 2004-08-28


Sipas të dhënave të sapopublikuara nga drejtoria e policisë së Qarkut të Shkodrës, në tre rrethet problematike në Veri të Shqipërisë: në Shkodër, Pukë dhe Malësi të Madhe, jane 109 familje të ngujuara brenda shtëpive të tyre për shkak të frikës nga gjakmarrja apo hakmarrja. Po sipas këtij burimi, në këto rrethe vazhdojnë të ngujohen 248 persona, mes të cilëve edhe 17 fëmijë të vegjël, të cilët janë mbyllur brenda shtëpive të tyre dhe nuk shkojnë në shkolla pasi u kërcënohet jeta.

Fenomeni i ngujimit nga frika e gjakmarrjes apo hakmarrjes, sipas të dhënave të publikuara nga policia, është më i theksuar në rrethin e Shkodrës ku janë ngujuar 83 familje me 178 persona.

Është hera e parë që policia publikon të dhëna zyrtare rreth përmasave që ka marrë në disa rrethe, në veri të Shqipërisë, fenomeni i gjakmarrjes dhe pasojat sociale që e shoqërojnë atë. Këto të dhëna u bënë të njohura pas ngritjes së një strukture të posaçme policore antigjakmarrje si dhe në përfundim të një regjistrimit të kryer nga stukturat dhe punonjësit e policisë vendore, të cilët për disa javë kontaktuan me të gjitha familjet e përfshira në konflikte.

Ndërkohë, të dhënat zyrtare të sapopublikuara nga policia bien ndesh me shifrat që vazhdojnë të japin një numër shoqatash joqeveritare që veprojnë në Shqipëri. Për shoqatat joqeveritare, përmasat e ngujimit janë disa herë më të mëdha se sa jepen nga policia, ndërsa numri i fëmijëve të ngujuar në Veri të Shqipërisë, sipas tyre, arrin në rreth 600.

Por, herë pas here, edhe vetë shoqatat joqeveritare si dhe disa grupe të misionarëve të pajtimit të gjaqeve kanë kundërshtuar shifrat e publikuara nga njeri-tjetri, duke i cilësuar ato si të fryra, veçanërisht përsa i përket numrit të fëmijëve të ngujuar që nuk shkojnë në shkolla

Në mesin e muajit korrik, këshilltari i posaçëm i Këshillit të Europës në Shqipëri, Guy-Michel Brandtner theksoi gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin e Shkodrës se gjakmarrja përbën një barrë të rëndë për jetën shqiptare dhe që nuk mund të tolerohet më tej.

Këshilli i Europës, tha ai, është i gatshëm të këshillojë autoritetet shqiptare mbi masat që parashikojnë kufizimin dhe eliminimin e vrasjeve dhe të shqyrtojë mundësinë e përpjekjeve të tjera shoqëruese për të reduktuar efektet e situatës aktuale të shkaktuar nga gjakmarrja.

XS
SM
MD
LG