Lidhje

Tiranë: mbahet Kongresi i Misionarëve të Pajtimit - 2004-09-23


Misionarët e Pajtimit mbajtën në Tiranë Kongresin e tyre të Dytë, gjatë të cilit programuan përpjekjet për ndalimin e gjakmarrjes dhe respektimin e shtetit ligjor. Kongresi u bëri thirrje institucioneve shtetërore, atyre fetare dhe shoqërisë civile, që të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre për të liruar familjet e ngujuara, për të dënar vrasësit maksimalisht dhe për të ndaluar propagandën që nxit psikologjinë e gjakmarrjes.

Drejtuesi i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, Gjin Marku, theksoi nga Rezoluta e Kongresit se vetgjyqësia është e dënueshme dhe zgjidhja kryesore mbetet që të gjitha palët ta lënë përgjegjësinë e vrasjes mbi fajtorin dhe shteti ta ndjekë atë penalisht.

“Sot realisht janë në hasmëri 670 familje, duke lënë pa shkollë 160 fëmijë nga të cilët 73 të rrezikuar për jetën. Në vitin 2003-2004, 54 familje, të kërcënuara seriozisht, janë larguar me rrugë ilegale jashtë Shqipërisë. Komuniteti Ndërkombëtar i ka mbështetur dhe mbrojtur ato duke iu siguruar azil të përhershëm. Për mosacarrimin e situatës, familjet në hasmëri nuk ua deklarojnë organeve të rendit ngujimin, ndaj shifrat zyrtare të policisë janë gjithnjë më të ulta se numri real”- tha zoti Marku.

Zoti Marku shtoi se një tjetër rrezik për gjakmarrje janë edhe konfliktet për motive pronësore. “Në vitin 2003, pati përsëri shtim të numrit të vrasjeve për gjakmarrje, ndërsa në vitin 2004 kjo shifër është ulur. Tendenca shkon drejt përmirësimit. Shqetësuese mbeten grindjet për shkaqe pronësie, duke u shtrirë edhe midis personave me lidhje gjaku. Në këtë moment në shkallë vendi, janë evidentuar 1600 konflikte të tilla, të cilat mund të shkaktojnë në çdo çast gjakderdhje”- tha zoti Marku. Ndërsa përfaqësuesi i Këshillit të Europës, Gyu-Michel Brandtner, tha se shoqëria shqiptare po arrin një pjekuri në trajtimin e këtij problemi. Në luftën kundër gjakmarrjes ashoqëria shqëiptare ka bërë një hap të rëndësishëm me ndërtimin e një strategjie të posaçme.

“Ka ardhur koha që shoqatat vendore që luftojnë gjakmarrjen të punojnë së bashku në një federatë. Këto përpjekje të veçuara do të jepnin rezultate më të larta me një bashkëpunim më të ngushtë me njëra-tjetrën. Këshilli i Europës do të japë ndihmesën e vet me një zyrë në Shkodër që do të mbështesë përpjekjet kundër gjakmarrjes”- tha zoti Brandtner. Sipas tij, bashkimi i shoqatave do t’i bënte ato më të forta dhe do t’i kthente në një mbështetje më të madhe për autoritetet në reduktimin e pasojave të gjakmarrjes.

Gjakmarrja është një nga shqetësimet më serioze të shoqërisë shqiptare, e cila ka marrë zhvillim në çdo periudhë krize e tranzicioni të shtetit shqiptar.

XS
SM
MD
LG