Qyteti anglez i Liverpulit po mban sot një ditë zi për Kenneth Bigley, një banor i këtij qyteti i cili u ekzekutua me prerje koke në Irak.
Flamujt ishin ngritur në gjysmë-shtizë dhe njerëzit u mblodhën me këtë rast në bashkinë e qytetit, ndërkohë që kryetari i bashkisë Frank Roderick i ftoi të mbanin dy minuta heshtje për të nderuar kujtimin e inxhinierit 62-vjeçar.
Lajmi i ekzekutimit u bë i ditur dje. Kryeministri britanik Tony Blair e cilësoi ekzekutimin një akt barbar. Mbretëresha Elizabetë i dërgoi një mesazh privat nënës së zotit Bigley.
Inxhinieri britanik u rrëmbye më 16 shtator në Bagdat së bashku me dy amerikanë, të cilët u ekzekutuan disa ditë më pas. Autorët e rrëmbimit u kërkuan forcave amerikane të lironin gratë e burgosura irakiane.
Disa njoftime bëjnë të ditur se zoti Bigley u përpoq t’u shpëtonte rrëmbyesve. Bashkëshortja 35-vjeçare e zotit Bigley tha se i shoqi kishte në plan të dilte në pension së shpejti dhe të jetonte me të në atdheun e saj, Tailandë. “Jeta ime ka ndryshuar përgjithmonë,” tha ajo në një intervistë për të përditshmen London’s Daily Mail.// lk //