Lidhje

PS, PD marrëveshje për KQZ - 2004-10-13


Në Shqipëri Partia Socialiste dhe Partia Demokratike arritën të gjejnë një zgjidhje për problemin e KQZ. Këtë e njoftoi sot kryetari i grupit parlamentar të partisë socialiste Gramoz Ruci. Ekspertët e së majtës kanë shfrytëzuar një mungesë ligjore për mënyrën e ripërtëritjes së KQZ. Duke përcaktuar këtë procedurë një nga anëtarët e Komisionit që është propozuar nga Këshili i lartë i Drejtësisë do të duhet të largohet dhe vendin e tij do ta zerë një emër i propozuar nga Partia Demokratike

Më së fundi hapet rruga për të përfundimin e reformës zgjedhore në Shqipëri.

Pengesa kryesore që kishte të bënte me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është kapërcyer. Socialistët të cilët prej javësh kishin bllokuar zgjidhjen duke nxjerrë arsyetime nga më të ndryshmet më në fund janë tërhequr. Socialistët kanë shfrytëzuar një boshllëk ligjor për të bërë të mundur që njëri prej anëtarëve të Komisionit ti jepet partisë demokratike.

Arritjen e zgjidhjes e njoftoi sot pasdite kryetari i grupit parlamentar të Partisë socialiste Gramoz Ruci i cili këto ditë ka patur disa konsultime me kryetarin e grupit demokrat Bamir Topi: Sipas zotit Ruci zgjidhja konsiston ne “Plotësimin e kërkesave të nenit 154, paragrafi 2 i kushtetutës i cili thotë “ripërtëritja e KQZ bëhet cdo tre vjet. Mënyra e ripërtëritjes bëhet me një ligj të vecantë, gjë e cila në kodin e 2003 mungon. Kështu që këtu konsiston dhe paketa e propozuar nga Partia socialiste, partisë demokratike”

Bërja e ligjit për ripërtëritjen do të mundësojë që njëri nga anëtarët aktual të Komisionit i cili konsiderohet si përfaqësues i së majtës të largohet dhe vendin e tij ta zërë një përfaqësues i partisë demokratike. Ka shumë mundësi që anëtari që largohet të jetë njëri prej tre personave të propozuar nga Këshilli i lartë i Drejtësisë, dhe emri më i lakuar për të lënë mandatin është ai i Maks Shimanit. Zbatimi i kësaj zgjidhjeje tha zoti Ruci do të sanksionohet nga një marrëveshje e re mes tij dhe kryetarit të grupit demokrat Bamir Topi

Me zgjidhjen e problemit të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve hapet rruga për plotësimin e reformës së plotë, pasi socialistët kanë hequr dorë edhe nga projektligji i vecantë i paraqitur prej tyre në parlament për listat e votuesve: "Në kushtet e reja projekti i paraqitur nga ekspertët e Komisionit dypalësh të drejtuar nga prezenca e Osbe-së në Tiranë me zhbllokimin e problematikës së KQZ, komisioni dypalësh menjëherë pas miratimit të kësaj pakete, do vazhdojë punën me projektligjin për hartimin e listave të zgjedhësve. Shpresojmë që me këtë ritëm pune komisioni të përmbushë misionin brenda afatit të përcaktuar nga parlamenti." Që nesër komisioni i posacëm parlamentar do të rinisë punën për të miratuar zgjidhjen e arritur për Komisionin qendror të Zgjedhjeve

XS
SM
MD
LG