Lidhje

Debati i tretë dhe i fundit presidencial zhvillohet sonte - 2004-10-13


Presidenti Bush dhe senatori John Kerry ndodhen në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara duke u përgatitur për debatin e tyre të tretë dhe të fundit presidencial.

Debati i fundit do të përqëndrohet në politikën e brëndshme. Presidenti Bush thotë se duke filluar nga taksat deri tek arsimi, senatori Kerry nuk bën pjesë në rrjedhën e përgjithshme politike. Ai thotë se komentet e zotit Kerry gjatë dy debateve të kaluara treguan se ai është tepër liberal për të qeverisur Shtetet e Bashkuara.

“Megjithëse është munduar ta zbehë qëndrimin e tij çështje pas çështjeje, rivali im tregoi përse e ka fituar emrin si anëtari më liberal i senatit të Shteteve të Bashkuara.”

Në një tubim në Kolorado, presidenti Bush akuzoi senatorin Kerry se ai nuk do të udhëheqë si duhet për të fituar luftën kundër terrorizmit. Ai tha gjithashtu se presidenca e zotit Kerry do të çojë në rritjen e taksave dhe do të dëmtojë ekonominë.

“Për të paguar për të gjithë programet e shpenzimeve që ka përmendur gjatë fushatës së tij, ai do të duhet të rrisë taksat tuaja. Ai mund të vrapojë, por nuk mund të fshihet.”

Senatori Kerry vendosi të mos bëjë fushatë në prag të debatit në Arizona dhe e kaloi ditën në shtetin fqinj New Mexico, duke u përgatitur për takimin e tij të fundit para-zgjedhor me presidentin. Ndihmësit e tij më të afërt dukeshin plot besim, duke thënë gjatë një konference telefonike me gazetarët se presin një paraqitje mjaft të mirë të kandidatit demokrat. Këshilltari më i lartë i fushatës së zotit Kerry, Joe Lockhart, i bëri një vështrim të shkurtër strategjisë së debatit të senatorit demokrat.

“John Kerry do të parashtrojë rendin e tij të ditës për politikën e brëdshme dhe do ta vëjë presidentin para përgjegjësisë për dështimet e tij gjatë katër viteve të fundit në aspekte të ndryshme si vendet e punës, shërbimi shëndetsor, pavarësia e energjisë, sigurimet shoqërore, dhe çështje të tjera.”

Pavarësisht nga fakti se dy kandidatët e dy partive më të mëdha gëzojnë thuajse mbështetje të barabartë në bazë të anketave të opinionit publik, zoti Lockhart tha se fushata e presidentit Bush përballet me më shumë presion para debatit të fundit.

“Ky debat është më i vështiri si për sa i përket formatit ashtu edhe temës që do të diskutohet. Prandaj unë mendoj se rreziqet janë të larta për të dyja palët, megjithatë mendoj se janë edhe më të larta për presidentin.”

Joe Lockhart vuri në dukje se vlerësimet për presidentin janë më të larta mbi çështjen e luftës kundër terrorizmit se sa në çështjet e politikës së brëndshme, duke treguar një avantazh për zotin Kerry gjatë debatit të tretë. Zoti Lockhard parashikoi se do të ketë disa diskutime rreth luftës kundër terrorizmit edhe në debatin për çështjet e politikës së brëndshme, por shtoi se kjo do të ishte vetëm në kontekstin e mbrojtjes së amerikanëve brenda vendit.

//ze//

XS
SM
MD
LG