Lidhje

Kryeministri irakian paralajmëron mundësinë e një operacioni në Falluxha - 2004-10-13


Kryeministri i Përkohshëm i Irakut, Iyad Allawi paralajmëroi se do të ndërmarrë një operacion të ri ushtarak në qytetin e trazuar të Falluxhës, nëse banorët e tij nuk dorëzojnë terroristin e kërkuar Abu Musab al-Zarqawi.

Zoti Allawi e bëri këtë paralajmërim ndërsa grupi terrorist Tawhid dhe Jihad deklaroi se kishte ekzekutuar me prerje koke dy zyrtarë të zbulimit irakian. Ky grup e bëri këtë njoftim në një video të tmerrshme të publikuar sot në internet. Nuk është vërtetuar ende nëse videoja është autentike.

Ndërkohë, ushtria amerikane thotë se dy ushtarë u vranë dhe pesë u plagosën sot në një sulm vetëvrasës me bombë ndaj autokolonës së tyre në qytetin verior të Mosulit.

Ndërsa në Bagdad, një ushtar tjetër amerikan u vra kur u sulmua autokolona e tij. Dje në mbrëmje, tre ushtarë amerikanë u vranë në një sulm të ngjashëm.

Konferencë e donatorëve për Irakun

Zyrtarët irakianë kanë kërkuar më shumë ndihmë ndërkombëtare për të rindërtuar vendin e tyre, ku rindërtimi po pengohet nga kryengritja vdekjeprurëse.

Zëvendëskryeministri irakian Barham Salih u tha sot përfaqësuesve të 55 vendeve dhe organizatave në një konferencë dyditore donatorësh në Tokio, se ndihma e tyre është ndihma më e mirë për të mposhtur kauzën e terrorizmit. Zoti Saleh tha se mbështetja e tyre është e nevojshme tani, për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për popullin e Irakut.

Ky është takimi i parë i donatorëve për Irakun, që kur qeveria kalimtare mori pushtetin në qershor dhe bëhet një vit pas një takimi në Madrid ku donatorët premtuan mbi 13 miliardë dollarë.

Zoti Saleh dhe Zëvendës-sekretari amerikan i Shtetit, Richard Armitage u kërkuan pjesëmarrësve në konferencë që t’ia falin Irakut borxhin prej 125 miliardë dollarësh.// lk //

XS
SM
MD
LG