Lidhje

Takim për nxitjen e bashkëpunimit në Ballkanin Perendimor - 2004-10-16


Zhvillimet aktuale ne Ballkanin Perëndimor dhe thellimi i bashkëpunimit midis vendeve të këtij rajoni, ishin temat qendrore në takimin e ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi, Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, që u zhvillua të premten dhe të shtunën në Ohër. Siç theksuan pjesëmarrësit në takim, zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës do të ndikojë në qëndrueshmërinë e rajonit.

Në Ohër përfundoi të shtunën takimi dy ditor i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perendimor.

Ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi, Kroacisë dhe Bosnjë Herecegovinës në konferencën e përbashkët me gazetarët thanë se mbështesin thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin e përbashkët në strukturat euroatlantike.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Sërbisë dhe Malit të Zi, Vuk Drashkoviç tërhoqi vërejtjen se nuk do të ketë përparime në sferën e bashkëpunimit rajonal, derisa në Kosovë po shkelen të drejtat e sërbëve dhe pakicave të tjera joshqiptare.

Zoti DrashkoviÇ i tha Zërit të Amerikës se mungesa e qëndrueshmërisë në Kosovë do të ketë ndikim në tërë Ballkanin Perendimor.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Kastriot Islami tha se vendet e këtij rajoni vetëm nëpërmjet projekteve dhe marrëveshjeve të përbashkëta do të kenë të ardhme të qartë në strukturat evroatlantike.

Ai i tha Zërit të Amerikës se e ardhmja e vendeve të rajonit duke përfshirë edhe Kosovën duhet të jetë në bashkësinë evropiane.

Zoti Islami theksoi se qeveria shqiptare aktualisht është e interesuar që zgjedhjet parlamentare në Kosovë të zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe demokratike.

Shefja e diplomacisë maqedonase, Ilinka Mitreva deklaroi se takime të tilla nxisin dialogun dhe harmonizimin e raporteve ndërshtetërore dhe ndëretnike në Ballkanin Perendimor.

Pesë ministrat e jashtëm vlerësuan se zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës do të ndikojë në qëndrueshmërinë e rajonit. Në fund të takimit u miratua një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim rajonal në kuadër të procesit për integrime në strukturat euroatlantike.

XS
SM
MD
LG