Lidhje

Presidenti grek Stefanopoulos viziton Shqipërinë - 2004-10-18


Shqipëria dhe Greqia duket se nuk do t'i shpëtojnë dot asnjëherë problemeve të së kaluarës së largët dhe të afërt në historinë e marrëdhënieve mes tyre, marrëdhënie që në thelb vazhdojnë të kenë si barrë mbi shpinë çështjen e hershme të pronave çame në Greqi dhe aktualisht ato të pakicës greke në Shqipëri, si dhe të trajtimit të qindra mijëra emigrantëve shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj.

Në takimin e sotëm presidentët e të dy vendeve Alfred Moisiu dhe Kostantinos Stefanopoulos i mëshuan faktit se hijet e dyshimit që ekzistojnë ndaj njëri tjetrit dhe problemet e së kaluarës nuk duhet të jenë problem për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Por pikërisht një problem i lindur në të kaluarën, ai i pronave të popullsisë çame, bëri që edhe sot krerët e të dy shteteve të ndaheshin në qëndrime. Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu në deklaratën e tij la të kuptohej se për këtë pikë ishte gjetur një emërues i përbashkët: "Ne mendojmë sikurse kanë rënë dakort kryeministrat, të fillojnë sa më parë negociatat dypalëshe në nivel ekspertësh për t'i dhënë zgjidhjen e drejtë juridi ke problemit të pronave të popullsisë çame dhe të shqiptarëve në Greqi si dhe të atyre greke në Shqipëri. Ramë dakort që këto probleme të shkojnë drejt zgjidhjes së tyre"- tha Presidenti Moisiu.

Por çuditërisht, për presidentin grek Stefanopoulos nuk ka se çfarë të zgjidhet, përsa kohë që siç u shpreh ai, problemi i popullsisë çame është i mbyllur: "Une nuk e di nëse ekziston nevoja e zgjidhjes së problemit çam. Unë personalisht nuk e di cilat janë takimet politike mes dy qeverive. Unë personalisht them se ai është një problem i mbyllur nuk ekziston më dhe nuk ka nevojë të zgjidhet",-tha presidenti grek, duke kujtuar se edhe Greqia kishte patur pretendime territoriale ndaj Shqipërisë por kishte hequr dorë prej tyre.

Ky fakt sipas tij, duhet të bënte që edhe shqiptarët të hiqnin dorë nga çështja çame. Ai u shpreh se nuk kishte asnjë dëshirë t'u rikthehet këtyre problemeve dhe të rikujtonte kushtet kur u krijuan këto probleme që i përkasin viti 1944, megjithatë tha ai, qeveritë mund të takohen e të diskutojnë duke zhvlerësuar në këtë mënyrë vendimin e përbashkët mes Tiranës dhe Athinës për trajtimin e këtij problemi.

Presidenti grek do të qëndrojë për tre ditë në Shqipëri. Pasnesër ai do të shkojë në zonat ku banon minoriteti grek, si dhe në fshatin Dhrovian, prej nga buron edhe origjina e largët e nënës së tij.

Presidenti Stefanopoulos tha se pakicat duhet të kenë të garantuara të drejtat e tyre që u njeh legjislacioni europian, ashtu si dhe shqiptarët në Greqi saktësoi ai, duhet të kenë të njëjtat të drejta me qytetarët grekë, dhe se shteti grek e garanton këtë, pavarësisht disa incidenteve që kanë ndodhur.

Nga ana e tij, të njetën tezë mbështeti dhe presidenti Moisiu, i cili duke iu referuar keqrajtimeve të shpeshta të qytetarëve shqiptarë në kufi, tha se në kufirin shqiptaro grek, siç është i rëndësishëm zbatimi i ligjit, është i rëndësishëm edhe respektimi i dinjitetit të qytetarit.

XS
SM
MD
LG