Lidhje

Pettifer: prania amerikane, e nevojshme për statusin përfundimtar të Kosovës - 2004-10-21


Dje, Qendra Studimore Wilson organizoi diskutimin me temë: ”Kosova: ka ardhur koha për një vendim lidhur me statusin e saj?” Në diskutim ishte i ftuar profesori britanik James Pettifer. Zoti Pettifer është njohës i mirë i Ballkanit dhe autor i disa librave, disa prej tyre edhe për Shqipërinë dhe Kosovën.

Studjuesi i bëri një analizë të hollësishme ngjarjeve gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Ai tha se ka mjaft ngjashmëri dhe lidhje midis vendeve të ndryshme ballkanike, prandaj, sipas tij marrja e një vendimi, qoftë ky i menduar mire, apo jo, mund të shkaktojë një reaksion zinxhir në mbarë rajonin. Zoti Pettifer e filloi diskutimin e tij me konstatimin “Kosova përbën sot nje kyç në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e mbarë rajonit”.

Ai tha se gjendja në Kosovë është shumë e brishtë. Megjithë përpjekjet e konsiderueshme të komunitetit ndërkombëtar për të nxitur dialogun midis udhëheqësve të Serbise dhe Kosovës, mund të them se shumë pak është arritur dhe marrëdhëniet midis dy komuniteteve thuajse nuk kanë ndryshuar fare. Gjendja e 80 mijë banorëve serbë mbetet e pasigurtë në enklavat e krijuara, kthimi i refugjatëve ka mbetur në vend. Në këto kushte, tha zoti Pettifer, pavarësia është ambicia e shqiptarëve që përbën 95 për qind të popullsisë së Kosovës.

Sipas pikëpamjes së analistëve, tha zoti Pettiffer, zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës është sfida më e madhe me të cilën përballet komuniteti ndërkombëtar. Dhuna e Marsit, tregoi për ekzistencën e një rreziku të vazhdueshëm të konflikteve ndëretnike dhe për një numër dështimesh serioze të strukturave të sigurisë dhe të qeverisjes, të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare. Dhuna e marsit, tha zoti Pettiffer, veçanërisht sulmet ndaj disa objekteve fetare serbe e dëmtuan së tepërmi imazhin e shqitarëve. Megjithatë, kjo nuk e ngadalesoi transferimin e kompetencave nga UNMIK-u tek autoritetet vendore, por e përshpejtoi atë. Vetë Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, është shprehur se në tre muajt e verës është arritur shumë më tepër nga sa është arritur në tre vjetët e fundit. Unë do të thoja, tha zoti Pettiffer, se megjithëse ekzistojnë dizavantazhe në rrugën e vendimmarrjes drejt zgjidhjes se statusit politik të Kosovës, dizavantazhet që mund të sjellë shtyrjea e këtij vendimi jane shumë më serioze.

Kushti që i ka vënë bashkësia ndërkombëtare Kosovës për zgjidhjen e statusit të saj është plotësimi i standarteve. Zoti Pettifer tha se afati për shqyrtimin e standarteve është verën e ardhshme, që përkon edhe me afatin e shqyrtimit të marrëveshjes federale midis Serbisë dhe Malit të Zi. Në se Mali i Zi fiton pavaresinë, nuk ka asgjë që ta ndalë Kosovën nga i njëjti proces, shumë shpejt, tha zoti Pettifer. Por si e vleresoi ai ecurinë e deritanishme të standarteve? "Rezultati i deritanishëm është i ndryshëm. Disa prej standarteve janë përmbushur. Por do të shtoja se e njëjta gjë mund të thuhet dhe për vende të tjera evropiane. Edhe vendet që janë pjesëtare të plota të Bashkimit Evropian do ta kishin të vështirë të përmbushnin 1 ose dy prej standarteve. Jam i mendimit se udhëheqja shqiptare ndeshet me një problem. Ndërsa ajo përpiqet të përmbushë disa prej kërkesave dhe disa prej tyre arrihen, papritur atyre u jepet një listë e re me kërkesa. Do të thoja se pikërisht kjo është një klimë që nuk ndihmon siç duhet."- tha zoti Pettifer.

Zoti Pettifer përmendi ligjvënësin amerikan Elliot Engel i cili në një intervistë televizive tha se në se do të ishin për të plotësuar standartet që i janë vënë sot Kosovës, Shtetet e Bashkuara nuk do të ishin krijuar kurrë si shtet në vitin 1770.

Veren e ardhshme, tha zoti Pettifer, kur të bëhet vlerësimi i standarteve, bashkësia ndërkombëtare do të ndeshet me një kërkesë të madhe globale për marrjen e një vendimi, do të ketë mocione ne Parlamentin e Kosove për pavaresinë dhe do të jetë shume e vështirë për OKB-në të ndale përshpejtimin e këtij procesi. Nga ana tjetër kane mbetur shumë pak mjete presioni ndaj Beogradit për negocimin e pavaresise se Kosoves, tani që Serbia është pranuar ne shumicën e institucioneve nderkombetare, pas izolimit ne periudhen e Milloshevicit. Prandaj, vendimet që do te merren tha zoti Petifer, duhet të mbështeten në çdo rast me praninë ushtarake, sepse në këtë mënyrë do të mund të ruhet paqja e brishtë në rajon.

Zoti Pettifer tha se një tjetër propozim për të ardhmen e Kosovës ka qenë ndarja e territorit, që duket tërheqës në pamje të parë, por që do të rrezikonte ndryshimin e kufijve aktualë.

Zoti Pettifer i beri nje analize politikës amerikane lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës Ai tha se shume vetë, mendojnë se kjo do të varet nga rezultati i zgjedhjeve ne Shtetet e Bashkuara. "Sipas mendimit tim, një administratë e re e zotit Kerry, do ta kishte shumë më tepër prioritet Ballkanin dhe nuk do të ishte aspak e interesuar për të nxitur paqëdnrueshmërinë në mbarë rajonin. Në se do të vinte në pushtet, adminsitrata e zotit Kerry do të merrte përseri pishtarin e Kosovës, që shihej si një arritje e administartës së presidentit Clinton dhe për të të cilin disa mendojnë se e ka lënë mënjanë administata e presidenti Bush."- tha studjuesi britanik.

Zoti Pettifer tha se se cilido kandidat t’i fitojë zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, një përkushtim amerikan është shumë i nevojshëm, sepse pa një pjesëmarrje të plotë të SHBA në rajon, pa një prani diplomatike, por edhe ushtarake, nuk mund të realizohet asgjë, pra nuk mund të përcaktohet as statusi përfundimtar i Kosovës.

XS
SM
MD
LG