Lidhje

Ekspertët e zgjedhjeve: këtë vit, pjesëmarrja parashikohet e madhe - 2004-10-26


Ekspertët e zgjedhjeve parashikojnë që pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të jetë më e madhe se 4 vjet më parë.

Në zgjedhjet e vitit 2 mijë, rreth 106 milionë amerikanë, ose 54 për qind e votuesve të ligjshëm morën pjesë në votime.

Një ekspert, drejtori i një komiteti jo-partiak për studimin e elektoratit amerikan, tha se mendon që 118 deri në 121 milionë amerikanë, apo 58-60 për qind e votuesve të ligjshëm do të marrin pjesë në zgjedhjet e 2 nëntorit.

Zyrtarët lokalë të zgjedhjeve në mbarë vendin thonë se miliona amerikanë janë regjistruar për të votuar për herë të parë. Edhe interesi për debatet televizive midis të dy kandidatëve presidencialë, sipas ekspertëve, ishte më i lartë se në vitin 2 mijë.

Anketimet tregojnë se gara po zhvillohet tepër e ngushtë ndërmjet dy kandidatëve, atij republikan, George Bush dhe rivalit të tij demokrat, John Kerry.

Të dyja partitë dhe një numër grupesh të tjerë po zhvillojnë fushatë për tërheqjen e sa më shumë votuesve në zgjedhje, me synimin për të siguruar pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje dhe për regjistrimin e emrave të rinj në listat e votimit. Edhe disa kisha po nxisin pjesëmarrje më të madhe në votime.

Tradicionalisht, Shtetet e Bashkuara renditen krahas me Zvicrën, si vende me pjesëmarrjen më të vogël në votime.// lk //

XS
SM
MD
LG