Lidhje

Busek: 2005 vit vendimtar për Kosovën - 2004-11-01


Shqiptarët e Kosovës duhet te japin prova se jane ne gjendje të qeverisin në drejtimin e duhur duke krijuar kushtet për sigurinë dhe për kthimin e pakicave serbe, ndërkohë që po afron afati për plotësimin e standarteve, thotë drejtuesi i Paktit të Stabilitetit Erhard Busek.

”2005 është vit vendimtar për të ardhmen e Ballkanit. Këtu flitet për të ardhmen e Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit, hapjen e negociatave për Kroacinë.”

Ballkani përballet me dy probleme kryesore, thotë zoti Busek. Së pari Bosnja dhe Hercegovina, ku popullsia muslimane dhe serbe janë të detyruar të bashkjetojnë. Dhe tjetri problem, thotë ish zevendes kancelari i Austrisë që drejton Paktin e Stabilitetit që nga krijimi i kësaj organizate para luftës në Kosovë, është..... ”Problemi tjetër është Serbia, Mali i Zi dhe Kosova. Të tre këto vende paraqesin probleme të veçanta dhe pastaj të trija ato të kombinuara së bashku krijojnë një problem tjetër.”

Kur flet për problemin e dytë, zoti Busek shton se Mali i Zi pretendon se ka pjekurinë e duhur për t’u integruar në Bashkimin Evropian, por të qenurit në union me Serbinë e pengon këtë integrim. Zoti Busek shprehet me skepticizëm rreth përparimeve të bëra në Serbi që nga rënia e regjimit të Sllobodan Milloshevicit. Drejtuesi i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek e kritikoi bojkotimin e zgjedhjeve në Kosovë nga ana e serbëve.

”Kreyministri Koshtunica e quajti fitore bojkotimin e zgjedhjeve të Kosoves nga serbët....Unë nuk mund ta kuptoj që të mos marrësh pjesë në zgjdhje është fitore...dikush duhet ta ma spjegojë këtë.”

Përsa i përket rajonit në përgjithësi, zoti Busek thotë se ka patur një rritje ekonomike në nivele të ndryshme në mbarë rajonin.

”Shqipëria ka tregues pozitivë rritjeje...por Shqipëria po fillon nga nivele mjaft të ulëta, gjë është është mjaft e vështirë për të ecur përpara... por Shqipëria po përmirësohet.”

Drejtuesi i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, thotë se shpreson që referendumi në Maqedoni të jetë i pasuksesshëm pasi siç shprehet ai, kjo do të kthente mbrapsht të gjitha përparimet e arritura deri tani, të një vendi që vuan nga kriza e indentitetit. Por sidoqoftë, thotë zoti Busek, 2007-ta do të shënojë pranimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG