Lidhje

Irak: vazhdojnë luftimet sporadike për kontrollin e Faluxhës - 2004-11-14


Forcat amerikane dhe irakiane vazhduan të luftojnë kundër kryengritësve në Faluxhah.

Një komandant i lartë amerikan në Faluxhah tha se forcat e koalicionit kanë vrarë më shumë se 1 mijë e 200 kryengritës, por ai shtoi se parashikon që luftimet sporadike të vazhdojnë edhe për disa ditë.

Sipas agjencisë Associated Press, një gjeneral amerikan tha se 31 trupa amerikane dhe 6 ushtarë irakianë janë vrarë deri tani.

Nuk ka ndonjë njoftim për viktima mes civilëve. Kryengritësit vazhdojnë të bëjnë qëndresë të fortë në pjesën jugore të qytetit, ndërkohë që forcat e koalicionit kanë nën kontroll pjesën tjetër të qytetit.

Në Mosul, përforcime amerikane dhe irakiane po patrullojnë rrugët e qytetit, pasi kryengritësit vërshuan në qytet këtë javë, duke sulmuar zyra politikanësh dhe stacione policie.

Disa trupa të koalicionit u larguan nga luftimet në Faluxhah për të luftuar kundër kryengritësve në Mosul.

Ndërkohë, kryeministri britanik, Tony Blair, parashikoi që irakianët do të jenë nën kontroll të sigurisë së tyre deri në fund të vitit të ardhshëm.

Në një intervistë sot me rrjetin televiziv amerikan NBC, kryeministri Blair hodhi poshtë idenë e dërgimit të më shumë trupave të huaja në Irak, por shtoi se ekziston një nevojë urgjente që irakianët të marrin në dorë funksionet e sigurimit të vendit. Ai tha se plani për ta bërë këtë realitet duhet të përfundojë nga fundi i vitit 2005.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka stërvitur forcat irakiane për role të ndryshme në trupat policore dhe ato të armatosura të vendit.

Kohët e fundit, presidenti Bush tha se 125 mijë irakianë do të jenë stërvitur deri në muajin janar, kur janë në plan të zhvillohen zgjedhjet në Irak.

Gjatë intervistës, kryeministri britanik tha se është i bindur që ato zgjedhje do të zhvillohen, megjithëse nuk dha një datë të saktë.

XS
SM
MD
LG