Lidhje

Në Ukrainë vazhdon kriza zgjedhore - 2004-11-27


Në Ukrainë, kandidati për president Viktor Jushçenko tha se do të këmbëngulë në zhvillimin e një raundi tjetër votimi më 12 dhjetor për të zgjidhur krizën politike të vendit. Zoti Jushçenko e bëri këtë koment dje vonë, para dhjetëra mijëra përkrahësve në Sheshin Pavarësia të Kievit. Ai u tha atyre se Kryeministri Viktor Janukoviç po bën propozime që do ta largojnë vendin edhe më shumë nga rruga për zgjidhjen e krizës.

Kandidati i opozitës foli pasi Presidenti Leonid Kuçma bëri të njohur krijimin e një grupi shumëpalësh pune për t’i dhënë fund krizës. Zoti Kuçma tha se të dy kandidatët ranë dakord për krijimin e grupit gjatë një takimi me të dërguar evropianë dhe rusë dhe të dy deklaruan se janë kundër çdo përdorim force si rrugë për zgjidhjen e krizës. Presidenti Kuçma tha se grupi do të fillojë punën menjëherë.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Makadams, njofton se i shoqëruar nga palët pjesëmarrëse në negociata që u zhvilluan në Pallatin Marinski, Presidenti Kuçma bëri vetëm komente shumë të shkurtëra pas më shumë se tri orë bisedimesh.

Zoti Kuçma tha se palët pjesëmarrëse në grupin e punës do të punojnë për të siguruar që Gjykata e Lartë e Ukrainës të hetojë në mënyrë të hapur dhe transparente të gjitha pretendimet e opozitës politike për mashtrime masive në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Presidenti ukrainas falenderoi udhëheqësit e huaj që shkuan në Kiev në përpjekje për të ndihmuar në këtë proces, përfshirë Havier Solanën e Bashkimit Evropian, Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së Jan Kubash, presidentin polak Aleksandër Kuaznjevski, presidentin lituanez Valdas Adamkus dhe kryetarin e parlamentit rus, Boris Grizlof.

Presidenti Kuçma tha se të gjitha palët janë të angazhuara të shmangin çdo shkallëzim të konfliktit që mund të çojë në gjakderdhje.

Zoti Kuçma tha se të gjithë shpresojnë të gjejnë një zgjidhje me dinjitet të atij që ai e cilësoi si problem të vështirë.

XS
SM
MD
LG