Lidhje

FMN do të analizojë ecurinë ekonomike të Shqipërisë - 2004-12-02


Në Shqipëri një mision i Fondit Monetar Ndërkobëtar do të marrë në analizë gjatë dy javëve të ardhshme ecurinë ekonomike të vendit. Misioni do të ketë si objekt të takimeve me drejtuesit e qeverisë shqiptare monitorimin e treguesve makroekonomikë dhe të zhvillimeve për vitin 2004, si dhe realizimin e objektivave të buxhetit për vitin 2004.

Një tjetër pikë e Misionit të Fondit Monetar do të jetë edhe paketa fiskale dhe Projektbuxheti për vitin 2005, dy dokumentet më të rëndësishëm financiare në hartimin e së cilave Fondi Monetar ka qenë pjesëmarrës aktiv që në fillim të diskutimeve.

Në pergatitjen e këtyre dokumenteve, autoritetet shqiptare kanë mbajtur parasysh gjerësisht marrëveshjet që kanë me Fondin Monetar dhe Bankën Botërore, si dhe angazhimet që kanë marrë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Dje përfaqësuesi i përhershëm i Bankës Botërore në Shqipëri Nadir Mohammed, ka vlerësuar pozitivisht paketën fiskale dhe projektbuxhetin.

Gjatë dy javëve të fundit këto dy dokumente kanë qenë në qendër të debateve jo vetëm politike, por edhe teknike. Paketa fiskale është kritikuar nga opozita dhe përfaqësuesit e biznesit, apo drejtuesit e pushtetit local. Të hënën e ardhshme ajo do të kalojë për miratim në parlament.

Vazhdon greva e universitarëve

Në Shqipëri po mbyllet java e dytë e grevës që ka përfshirë Universitetet kryesore të Shqipërisë. Qeveria shqiptare, e cila në parim është shprehur e gatshme të realizojë kërkesat e pedagogëve, është ende në bisedime me grevistët.

Një grup i ri pune i ka kërkuar përfaqësuesve të profesorëve të Universiteteve në grevë, të paraqesin propozimet e tyre për zgjidhjen e problemeve të ngritura. Kryetari i komisionit të pedagogëve grevistë Ismail Hoxha i tha Zërit të Amerikës se sot ata do të dorëzojnë në qeveri propozimet e tyre që kanë të bëjnë me autonominë e plotë universitare brenda vitit 2005, përfshirjen e pedagogëve në sistemin e pagave të administratës shtetërore, rritjen e buxhetit për arsimin në nivelet e rajonit, dhe statusin e profesorëve dhe studentëve.

Zoti Hoxha ritheksoi se deri në marrjen e një vendimi zyrtar nga ana e qeverisë për kërkesat e tyre greva do të vazhdojë.

Në kulmin e protestës më të gjatë të Universiteteve shqiptare, kryeministri Nano ka bërë një lëvizje në drejtimin e Ministrisë së Arsimit, duke emëruar një zëvendësministër të ri.

XS
SM
MD
LG