Lidhje

Shqipëri: Parlamenti nis diskutimin e paketës fiskale, e cila u kundërshtua nga opozita - 2004-12-06


Parlamenti shqiptar nisi të hënën shqyrtimin e paketës fiskale e cila përmban ndryshime në 9 ligje që lidhen me taksat dhe tatimet. Ministri i financave Arben Malaj deklaroi se kjo paketë synon të konsolidojë sistemin fiskal në vend, të nxisë zhvillimin e biznesit dhe të investimeve vendase dhe të huaja. Por partia demokratike kritikoi ashpër paketën duke u shprehur se ajo nuk nxit rritjen ekonomike por bëhet një barrë e re për biznesin. Demokratët paralajmëruan votimin e tyre kundër paketës fiskale.

Siç ka ndodhur rëndom sa herë që në parlament janë shyrtuar dy dokumentat më të rëndësishëm financiare, paketa fiskale dhe buxheti i shtetit, lidhur me përmbajten e tyre janë ofruar dy panorama të ndryshme. Qeveria që jep nota optimiste dhe opozita që e hedh poshtë.

Diskutimi për paketën fiskale, e cila u propozua nga qeveria dhe reflekton ndryshime të propozuara nga komisione parlamentare nisi të hënën pasdite në parlament. Paketa parashikon ndryshime në 9 ligje për sistemin e taskave dhe tatimeve.

Ministri i Financave Arben Malaj deklaroi se paketa synon garantimin e stabilitetit makroekonomik, konsolidimin e të ardhurave fiskale në funksion të shpenzimeve në përputhje me prioritetet strategjike të vendit, krijimin e një klime të favorshme për një zhvillim të qëndrueshëm të biznesit vendas dhe të huaj dhe kushte lehtësuese për nxitjen e investimeve të huaja direkte ne ekonominë shqiptare.

Po ashtu synohet thjeshtimi dhe lehtësimi i proceduarve tatimore edhe atyre ankimore si dhe reduktimi i mëtejshëm i evazionit fiskal dhe kontrabandës, duke zgjeruar bazën e tatueshme.

Ministri i financave deklaroi se rritja e të ardhurave synohet të arrihet nga rritja ekonomike e vendit, nga investime më të mëdha në ekonomi, nga një shkallë më e lartë efikasiteti në zbatimin e investimeve private e publike.

Ai shpjegoi se rritja e të ardhurave nuk do bëhet duke vështirësuar ambientin e biznesit por duke e nxitur dhe mbështetur sa më mirë me politika ekonomike dhe një administrim sa më efikas.

Por i një mendimi tërësisht të kundërt ka qenë sekretari i përgjithshëm i partisë demokratike Ridvan Bode i cili foli në emër të grupit parlamentar të partisë së tij.

Sipas zotit Bode paketa fiskale e propozuar nga qeveria nuk i shërben konsolidimit fiskal siç pretendohet pasi ul pjesën e të ardhurave fiskale apo të ardhurave totale të buxhetit në krahasim me prodhimin e brendshëm bruto të vitit 2005 në nivelin minimal që nga viti 1997. Ajo nuk nxit rritjen ekonomike dhe biznesin tha ai, por bëhet një barrë e re dhe rrit arbitraritetin e administratës fiskale.

Partia Demokratike në të vërtetë propozoi disa ndryshime pjesa dërrmuese e të cilave sipas socialistëve do të merren parasysh. Por zoti Bode tha se ato ndryshime synojnë vetëm të minimizojnë një pjesë negative të efekteve që paketa ka mbi biznesin dhe qytetarët, prandaj deklaroi ai Partia Demokratike shprehet kundër saj.

XS
SM
MD
LG