Lidhje

Irak: Vazhdon dhuna para zgjedhjeve të janarit - 2004-12-09


Kryengritësit kanë goditur përsëri kryeqytetin irakian si dhe qytetin verior të Mosulit, ndërkohë që ata vazhdojnë fushatën e dhunës para zgjedhjeve kombëtare të janarit. Një sulm me mortajë sot në afërsi të bazës së Gardës Kombëtare Irakiane dhe ambasadës italiane në Bagdat la tre të vrarë irakianë dhe plagosi pesë të tjerë, ndërkohë që shpërthimi i një makine bombë në afërsi të një tregu në Mosul plagosi dy të tjerë.

Ndërkohë që afrohet e premtja që është afati për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet e janarit, një zyrtar shia bëri të ditur se autoriteti më i lartë i sektit shia, Grand Aytollah Ali al-Sistani po mbështet një listë prej 228 kandidatësh të Aleancës së Bashkuar Irakiane. Koalicioni ka dy partitë kryesore shia dhe gjithashtu parti suni dhe kurde, por nuk ka ndonjë kandidatë që përkrahet nga kleriku radikal Moqtada al-Sadr.

Ndërkohë, komandanti i trupave të marinës amerikane në Irak thotë se 97 për qind e qytetit të Falluxhës, që shërbente si strehë e kryengritësve, është pastruar tani prej tyre dhe ai shton se civilët mund të fillojnë të kthehen në shtëpitë e tyre rreth datës 24 dhjetor.

Gjeneral-lejtnanti John Sattler tha sot se pa strukturën komanduese dhe në mungesë të armëve, forcat kryengritëse mund të thuhet se janë shtypur. Ai tha se të gjithë meshkujve që kanë mbushur moshën e ushtrisë dhe që kthehen në qytet do t’u jepen letra identifikimi, pasi të fusin në një sistem dhënash shenjat e gishtërinjve dhe skanimin e syve.

Qeveria e Irakut dha miratimin për fillimin e ofensivës nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në fillim të nëntorit, me premtimin për vendosjen e sigurisë në prag të zgjedhjeve kombëtare që janë në plan të zhvillohen më 30 janar.

XS
SM
MD
LG